Janë zbardhur detaje të reja nga ngjarja e rëndë e regjistruar në Tiranë, ku dy persona humbën jetën si pasojë e asfiksimit nga rrjedhja e gazit në banesë.

Viktimat janë pronari i banesës, Altin Maksuti rreth 47 vjeç dhe i afërmi i tij, Vladimir Bengu rreth 56 vjeç.

Mësohet se Altin Maksuti ishte rezident në Greqi së bashku me familjen e tij dhe prej disa ditësh ishte kthyer i vetëm për të rikonstrukturuar banesën e tij në zonën e “Kodrës së Priftit”.

Sl bashku me kushëririn e tij, Vladimir Bengu, ditën e djeshme ata kanë qëndruar në banesë dhe dyshohet se kanë harruar ngrohësen me gaz ndezur, teksa kanë qenë në gjumë.

Ngrohësja ka patur rrjedhje gazi, duke sjellë asfiksimin e tyre dhe humbjen e jetës. Kanë qenë familjarët e të ndjerit, ata të cilët pasi Altin Maksuti nuk po iu përgjigjej në telefon, kanë bërë denoncim në Polici.

Uniformat blu pasi kanë shkuar në vendin e ngjarjes, hapën me forcë derën e banesës i kanë gjetur të dy të pajetë me ngrohësen e gazit të ndezur.

Nuk dihet saktësisht nëse ata kanë ndërruar jetë ditën e djeshme apo sot.