Janë zbardhur detaje të reja nga hetimet për shpërthimin me tritol të regjistruar mbrëmjen e 21 Dhjetorit në Tiranë, në një apartament në katin e 9-të të një pallati.

Për shkak të lartësisë (kati i 9-të), dyshohet se tritoli mund të jetë hedhur me dron në ballkonin e apartamentit.

Mësohet se Elena Arëza, e cila kishte marrë me qira apartamentin, është bashkëjetuesja e “të fortit” të Vlorës, Bernard Sinomati dhe apartamenti frekuentohej nga ky i fundit. Elena Arëza është me origjinë nga Korça.

Deri më tani grupi hetimor ka marrë në pyetje vetëm pronarin e apartamentin, shtetasin Albert Thoma, i cili ka deklaruar se banesën e kishte dhënë me qira përmes një agjencie imobiliare.

“Kontratën e kemi lidhur në korrik 2024 dhe banesën tonë e ka marre me qira një çift. Nuk dimë asgjë për ta dhe nëse kanë apo jo probleme”, ka deklarua ai.

Sipas TCH, grupi i hetimit ka kërkuar të marrë dhe dëshminë e shtetases Elena Arëza, por ajo është larguar jashtë vendit. “Jam jashtë Shqipërisë”, mësohet se ka thënë ajo.

Gjithashtu, kërkesa për t’u marrë në pyetje i është përcjellë edhe Bernard Sinomatit në banesën e tij në Vlorë.

Deri më tani, ai nuk është përgjigjur ende dhe nuk ka asnjë gjurmë prej tij. Nuk dihet nëse Bernard Sinomati dhe partnerja e tij kanë në apartament në momentin e shpërthimit dhe janë larguar më pas apo jo.

Kujtojmë se kanë qenë banorët e pallatit në rrugën “Sadik Petrela” ata që telefonuan Policinë, pasi u tronditën nga shpërthimi i fuqishëm me tritol. Kur efektivët shkuan në vendin e ngjarjes, derën e gjetën të mbyllur dhe e hapën me forcë, ku konstatuan xhamin dhe vetratat e ballkonit të dëmtuara nga shpërthimi.

Bernard Sinomati është vëllai i Sokol Sinomatit, ish-anëtarit të bandës së “Gaxhait”, i njohur ndryshe me nofkën “Buzëderri”.

Mbrëmjen e 7 Janarit, Bernard Sinomatit i vranë në Vlorë nipin me snajper (djali i Sokolit), Gëzim Sinomatin, vetëm 23 vjeç, ngjarje ende e pazabardhur. Në momentin kur u qëllua, i riu ndodhej në ballkon duke pirë cigare, teksa brenda apartamentit dyshohej se ndodhej Bernard Sinomati. Viktima sapo ishte kthyer nga Blegjika, teksa nuk njihej për precedent penal dhe dyshohet se në atë atentat qitësin mund të kenë ngatërruar edhe shënjestër, pasi mund të kenl dashur të vrasin pikërisht Bernard Sinomatin.

Gjithashtu, në Janar të vitit 2022, Bernard Sinomatit i vendosën edhe tritol në automjetin e tij të parkuar në qytetin e Vlorës. Ai është një emër i njohur për policinë, pasi është arrestuar për armëmbajtje pa leje, si dhe është i dënuar në Belgjikë.

Shpërthimi i mbrëmjes së 21 Dhjetorit me tritol në Tiranë, erdhi vetëm pak ditë, pas atentatit të regjistruar më 18 Dhjetor në qytetin e Vlorës ndaj 30 vjeçarit Kevin Hajrulla, i cili u qëllua me breshëri kallashnikovi, duke mbetur i plagosur rëndë.

Në atë ngjarje deri tani Policia ka mbledhur vetëm gëzhojat dhe makinën e djegur të autorëve. Gjithsesi, nuk dihet nëse ka indicie që mund të lidhë dy ngjarjet me njëra-tjetrën.