Një lëndë plasëse tritol ka shpërthyer mbrëmjen e sotme në shtëpinë e 35-vjeçarit Ilir Koçilja në lagjen Nr.4 të qytetit të Durrësit.
Koçilja është personi i cili dy javë më parë vrau me thikë fqinjin e tij, 45-vjeçarin Halil Koka, pas një sherri për vendparkimin e automjetit.
Lënda plasëse është hedhur nga një person i paidentifikuar, ndërsa brenda banesës nuk ndodhej njeri, kjo pasi Koçilja ndodhet në burg dhe familja e tij jeton jashtë shtetit.
Tritoli dyshohet se është hedhur në shenjë hakmarrjeje, apo si një mesazh për vrasjen e Kokës dy javë më parë, megjithatë policia që ndodhet tashmë në vendngjarje po heton për zbardhjen e saj.
Ilir Koçilja raportohet se vuante nga probleme të shëndetit mendor. Ai grindej shpesh me fqinjin e tij për vendin e parkimit të makinës, ndërsa mëngjesin e 12 shkurtit e qëlloi atë për vdekje me thikë.
Nga shpërthimi i tritolit nuk ka persona të lënduar, vetëm dëme materiale, ndërsa zhumra e fortë ka alarmuar banorët.