E themeluar në 5 gusht të këtij viti, Zvërnec South Adriatic Development ka një kapital fillestar prej 5 milionë lekësh. Aksionet e saj zotërohen në masën 100 për qind nga një kompani holandeze e quajtur Universal Properties Projects BV, e themeluar në 1 gusht të këtij viti në Amsterdam me kapital 1 euro.

Por as Universal properties nuk është pronari fundor i resortit. Aksionet e saj zotërohen  në masën 100 për qind nga një tjetër kompani e regjistruar në Hollandë me emrin Interroyal B.V.

Pronari fundor i kompanisë është i panjohur, pasi Interroyal përfaqësohet nga dy punonjës të një zyre taksash në Hollandë që quhet Dutch Trust Management B.V. Ndaj si pronarë përfaqësues të resortit rezultojnë dy punonjësit e Dutch Trust, një shtetase bullgare e quajtur Zoya Gyorava dhe një rus me emrin Nikita Vinogradov.

Resorti

Lajmi se dhëndrri i presidentit të zgjedhur amerikan Donald Trump po planifikonte ndërtimin e dy resorteve luksoze në Shqipëri, një në ishullin e Sazanit dhe një tjetër në Zvërnec, fillimisht u publikua nga vetë Kushner në një intervistë për median amerikane Bloomberg.

Në shkrimin e datës 15  mars 2024″  me titull “Jared Kushner’s Saudi-Backed Firm Eyes Billion-Dollar Balkan Deals” Kushner thotë se në Zvërnec kompania e tij Affinity Partners do të ndërtojë 1 mijë njësi akomodimi turistike ndërsa në Sazan do të ndërtohen njësi akomodimi luksoze eko-resort të markës Aman.

Kushner ka shërbyer si këshilltar i lartë i Shtëpisë së Bardhë, gjatë mandatit të par të Trump. Pasi la punën në qeveri, ai krijoi kompaninë Affinity Partners, e cila, zotëron asete prej 3.1 miliardë dollarësh.

Kompania pati mbështetjen e investitorëve nga vendet e Lindjes së Mesme, duke përfshirë rreth 2 miliardë dollarë nga Fondi i Investimeve Publike të Arabisë Saudite. Kushner po shikon gjithashtu mundësi për të investuar në energjinë e rinovueshme dhe qendrat e të dhënave dhe inteligjencën artificiale.

Debate në SHBA

Publikimi i lajmit se dhëndrri i Donald Trump do të zhvillonte projekte me vlerë miliarda dollarë në Shqipëri dhe Serbi, shkaktoi debate të forta në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Demokratët, por edhe disa të mëdha amerikane akuzuan Kushner se po përdorte influencën për të përfituar marrëveshje në Ballkan.

Madje Komiteti i Financës në Senatin Amerikan ka nisur dhe një hetim për këtë çështje duke i kërkuar zyrtarisht kompanisë së Kushner që të identifikojë zyrtarët shqiptarë dhe serbë, me të të cilët ka patur komunikime për projektet. Por dhëndrri i presidentit të zgjedhur i ka kundërshtuar akuzat.

“Nuk mendoj se dikush ka thënë ndonjëherë se kam thyer ndonjë rregull ose nuk kam zbatuar ligjet e vendeve ku dua të investoj, apo se kam qenë shumë skrupuloz në hartimin e planeve. Kam mësuar gjatë kohës sime në qeveri se nëse e kaloj kohën time duke u përpjekur të jetoj në një mënyrë që zbut shqetësimet e kaq shumë njerëzve që nuk i respektoj, të cilët janë të motivuar nga politika partiake, atëherë thjesht do të paralizohem,” deklaroi ai në një intervistë për Wall Street Journal.

Për projektet në Shqipëri, si dhe për një marrëveshje të veçantë në Serbi, zoti Kushner është bashkuar me Richard Grenell, i cili shërbeu si i dërguar i posaçëm në Ballkan gjatë administratës Trump.

Kushner, në intervistë, tha se planet e tij tashmë kishin ndihmuar në ngritjen e profilit global të Shqipërisë si një destinacion turistik mesdhetar. “Ne duam të bëjmë diçka për të cilën njerëzit mund të jenë shumë krenarë,” tha ai.

Por ndonëse fillimisht u tha se pas investimeve do të ishte kompania Affinity, për resortin e Zvërnecit Kushner me sa duket ka preferuar që të mos futet drejtëpërdrejt me të, por të hyjë përmes një kompanie të regjistruar në Hollandë./kapitali.al