U arrestua për mashtrim, si u përjashtuan dy kompanitë e Nadir Çausholli CFO Pharma dhe Green Line nga tenderët po për mashtrim

TIRANË-Agjencia e Prokurimit Publik (APP) ka vendosur të përjashtojë kompaninë “Green Line” të biznesmenit Nadir Çausholli nga e drejta për të marrë pjesë në tendera publikë për 6 muaj, me arsyetimin se ka dhënë deklarata të pavërteta për qëllime kualifikimi.

U arrestua për mashtrim, si u përjashtuan dy kompanitë e Nadir Çausholli CFO Pharma dhe Green Line nga tenderët po për mashtrim
U arrestua për mashtrim, si u përjashtuan dy kompanitë e Nadir Çausholli CFO Pharma dhe Green Line nga tenderët po për mashtrim

Ky është përjashtimi i dytë që biznesmeni Çausholli dhe kompanitë e tij marrin brenda një kohe të shkurtër.

Në korrik të këtij viti, kompania e tij “CFO Pharma” u ndalua gjithashtu për 6 muaj nga tenderët publikë, po për deklarata të rreme.

I arrestuar për mashtrim, CFO Pharma e Nadir Çausholli përjashtohet nga tenderët pasi gënjeu shtetin

Në gusht 2024, kompania shtetërore “Albpetrol” shpalli tenderin për shërbimin e transportit të punonjësve, me një fond limit prej rreth 13 milionë lekësh. Në këtë tender morën pjesë “Green Line” dhe një kompani tjetër, të cilat u skualifikuan nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave për mosplotësim kriteresh.

Sipas dokumenteve zyrtare, “Albpetrol” konstatoi se Nadir Çausholli, ortak i “Green Line”, ishte njëkohësisht edhe aksioner i vetëm i kompanisë “CFO Pharma”, e cila ishte përjashtuar nga tenderët publikë.

Në përputhje me nenin 76 të ligjit “Për prokurimet publike”, çdo operator ekonomik që ka lidhje të drejtpërdrejta me një subjekt të përjashtuar nuk lejohet të marrë pjesë në tendera.

Pas skualifikimit, “Green Line” kundërshtoi vendimin dhe paraqiti një ankesë pranë Komisionit të Prokurimit Publik (KPP). Megjithatë, KPP e refuzoi ankimin me vendimin nr. 1422/2024, duke konfirmuar korrektësinë e procedurave të ndjekura nga “Albpetrol”. Për më tepër, KPP vuri në dukje se “Green Line” kishte bërë deklarata të rreme në formularin e vetëdeklarimit, duke fshehur lidhjet me kompaninë e përjashtuar “CFO Pharma”.

Si rezultat i këtij hetimi, APP vendosi përjashtimin e “Green Line” nga tenderët për një periudhë 6-mujore, duke e cilësuar si një rast të rëndë keqinformimi në proceset e prokurimit publik.

Nga farmaceutika tek transporti publik

Kompania “Green Line” zotëron linjën e autobusëve të Unazës kryesore në Tiranë. Në vitin 2021, “CFO Pharma” e Nadir Çaushollit bleu për 100 mijë euro aksionet e kompanisë “Gerard-A”, e cila zotëronte linjën urbane të Kasharit. Përveç kësaj, Çausholli mori përsipër edhe shlyerjen e borxhit prej 2 milionë eurosh të kompanisë ndaj bankave.

Në vitin 2022, “Green Line” mori kontrollin e plotë të linjës së Unazës, pas vendimit të Bashkisë Tiranë për të larguar kompaninë “Ferlut”. Megjithatë, procesi i transferimit të licencës është kritikuar për mungesë transparence, pasi nuk ekzistojnë akte të publikuara që tregojnë mënyrën e kalimit të të drejtës për operim.

Probleme dhe aksidente

Flota e autobusëve të “Green Line” është përfshirë në disa aksidente, disa prej të cilave kanë qenë mjaft serioze. Në shkurt 2022, një autobus i kompanisë doli nga rruga pranë zonës së “Pallatet Agimi” dhe përfundoi në lumin Lanë. Fatmirësisht, aksidenti nuk shkaktoi viktima.

Këto probleme dhe hetime për deklarime të pavërteta kanë ngritur pikëpyetje të mëdha mbi funksionimin dhe integritetin e kompanive të Nadir Çaushollit. Përjashtimi i fundit nga APP thellon krizën e besueshmërisë së kompanisë, ndërsa për qytetarët mbetet shqetësimi për sigurinë dhe cilësinë e shërbimit publik.

Në shkurt të vitit 2022, një autobus i “Green Line” del nga rruga pranë zonës së quajtur ‘Pallatet Agimi” dhe përfundon në skarpatet e lumit Lanë.

Në foto: Autobusi i “Green Line” u rrëzua në Lanë, në shkurt 2022

Mbrëmjen e 5 shkurtit 2022, rreth orës 20:10, autobusi i linjës së Unazës në Tiranë u përplas me një mjet dhe nga devijimi të dy përfunduan në Lanë. Nga aksidenti mbetën të plagosur 5 persona, ndonëse për fat morën lëndime jo serioze që të gjithë, duke shmangur kështu një ngjarje të rëndë.

Një vit më pas, në shkurt 2023, një autobus i “Green Line” është protagonist në një aksident masiv në zonën pranë Parkut “Rinia” në kryeqytet.

Autobusi përplas njëkohësisht 10 automjete, duke lënë disa të plagosur.

Arrestimi i Nadir Çaushollit për mashtrim

Nadir Çausholli është një personazh tepër i njohur për prokurorinë dhe policinë për shkak se i viziton shpesh zyrat e tyre sepse rezulton i paditur dhe dënuar për mashtrime.

Emri i tij bëri bujë në vitin 2015 ku pas një hetimi disa mujor prokuroria zbuloi skandalin e mashtrimit me recetat false për barnat e rimbursueshëm, specifikisht për ilaçin “ketosteril”, përmes të cilit iu zhvatën shtetin shqiptar 2 milion euro.

Në qendër të mashtrimit ishte kompania “Omega Pharma” në pronësi të Nadir Çaushollit.

Në fillim të vitit 2016, gjykata e gjeti fajtor Çaushollin për veprat penale “mashtrim” dhe “falsifikim dokumentesh” duke i dhënë 5 burg. Por, për shkak se ai pranoi gjykimin e shkurtuar duke pranuar rrjedhimisht edhe mashtrimin e kryer, gjykata i uli 1/3 të dënimit, i cili më pas u konvertua në shërbim prove.
Çausholli doli nga qelia në tetor të vitit 2016 dhe tashmë me “lëkurë” të re, duke i ndërruar emrin kompanisë nga “Omega Pharma” në “CFO Pharma” vijoi të kishte marrëveshje me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor duke përfituar miliona nga paratë e shqiptarëve edhe pse gjykata më herët ia kishte hequr të drejtën kompanisë “Omega Pharma” për të realizuar marrëveshje të tilla.

Si u zbulua skandali prej 2 milionë eurosh?
Gjatë analizës në Drejtorinë e Informatikës dhe Analizës Statistikore (D.I.A.S) pranë FSDKSH-së për muajt prill-shtator 2015 është konstatuar rritje e nivelit të konsumimit të barit me emërtim tregtar “Ketosteril”. Nga të dhënat e DIAS lidhur me shitjen e këtij medikamenti janë identifikuar depot farmaceutike që e tregtonin atë, ku subjektet e vetme importues dhe distributor me të drejtën ekskluzive për tregtimin e tij janë “Rejsi Farma”.

Sipas FSDKSH-së, depoja farmaceutike “Omega Pharma” ka bërë hyrje fiktive të këtij medikamenti në magazinën e saj, pavarësisht se dy kompanitë që kishin ekskluzivitetin nuk raportonin për shtije të medikamentit.

Nga këqyrja e të dhënave të deklaruara nga disa farmaci që operojnë në tregun e Tiranës, vihet re se, këto farmaci kanë deklaruar fletë-hyrje të barit Ketosteril me furnitor “Omega Pharma” për periudhën qershor 2013 – maj 2015. Gjatë kësaj periudhe rezulton e provuar se, “Rejsi Farma” nuk ka bërë shitje të Ketosterilit tek “Omega Pharma” dhe se ky subjekt nuk ka pasur blerje të këtij produkti.

Nga këqyrja e faturave tatimore të sekuestruara pranë “Omega Pharma” vihet re se në këto fatura janë identifikuar disa fatura “kesh” me shitje minus. Në këto fatura bëhet fjalë për medikamente të ndryshme, duke përmendur këtu edhe medikamentet Ketosteril dhe Insulina. Emri i subjektit nga i cili është marrë malli nuk është i identifikuar.

Përsa më sipër, u provua se depoja “Omega Pharma Group” ka krijuar fatura tatimore fiktive. Ky subjekt ka furnizuar farmacitë me fatura shitje fiktive pa pasur blerje. Më pas, farmacitë kanë ekzekutuar receta fiktive dhe i kanë kërkuar Fondit rimbursim për këto receta. /gazetajonë