Pasi ka tjetërsuar thuajse gjithë bregdetin e Shqipërisë, përmes ligjit kontrovers të investimeve strategjike, duke ja falur atë një grushti oligarkësh dhe biznesesh të lidhura me pushtetin, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se qeveria po tregohet e kujdesshme me kërkesat e të huajve për investime në turizëm.

“Më duhet të them se sot na u afruan grupe te tjera spanjolle, tanimë nuk e kanë më problem të përfytyrojnë të investojnë në Shqipëri. Na duhet të tregojmë shumë kujdes lidhur me zhvillimin, dhe të vendosim një ekuilibër mes të tashmes dhe së ardhmes, një ekulibër midis më shumë të ardhurave nga turizmi me nevojën për të ruajtur natyrën. Ne jemi bekuar me një vend i cili në një sipërfaqe shumë të vogël, është besoj, një vend shumë i larmishëm. Në këtë hapësirë shumë të vogël përmban 2 dete, 9 lumenj, shumë male,” deklaroi kryeministri nga Spanja

Gjatë fjalës së tij në Madrid, ku Shqipëria po prezantohet në panairin “FITUR 24”, Rama u shpreh se vendi ynë duhet të nxisë më tepër turizmin luksoz.

“Në një distancë shumë të shkurtër mund të jesh në Spanjë e në Zvicër në të njëjtën kohë, të jesh në Amerikën e Veriut dhe në Amerikën e Jugut sa i takon klimës. Kjo është shumë e veçantë, ndaj duhet të gjejmë një ekulibër. Duam të nxisim një turizëm më luksoz, për të os rënë viktimë e një turizmi masiv”, theksoi kreu i qeverisë shqiptare.

Këto deklarata të kryeministrit vijnë pas një seri vendimesh të qeverisë së drejtuar nga ai, të cilat kanë tjetërsuar miliona metër katrorë tokë në bregdet, kryesisht për ndërtim vilash dhe apartamentesh. Mes përfituesve të këtyre vendimeve janë një grusht biznesmenësh të cilësuar shpesh si oligarkë, por edhe drejtëpërdrejtë zyrtarë të lartë të maxhorancës socialiste. Vetëm tani me sa duket qeveria është kujtuar që bregdeti ashtu si ccdo burim tjetër i nënshtrohet ligjit ekonomik të kufizimit.

Tashmë qeveria do të refuzojë ofertat e grupeve të njohura ndërkombëtare për ndërtim hotelesh në bregdetin shqiptar, pasi vendin e tyre e kanë zënë fshatrat turistikë dhe vilat, nga të cilat ekonomia nuk përfiton thuajse asgjë.