Izet Abazaj, 19-vjeçari i ndaluar ditën e sotme për vjedhjen me dhunë të punonjësit të një lavazhoje, të cilit i mori 400 euro, rezulton të jetë pjesë e grupit të efektivëve të policisë me mbiemër Sulejmani, të arrestuar për ngjarjen e ndodhur në 2 janar, ku u plagosën dy persona me sende të forta si dhe pati të shtëna me armë zjarri.

Burime konfidenciale për News24 bëjnë me dije se dyshohet që Izet Abazaj të jetë personi i cili ka marrë një automjet me qera nga vëllezërit Nexhipi dhe nuk ua ka kthyer atë. Për këtë shkak është ndezur edhe konflikti midis vëllezërve dhe efektivit të policisë Alvaro Sulejmani, i cili i ka dalë në mbrojtje 19-vjecarit Abazaj.

Rezulton se pak para ngjarjes së rëndë të ndodhur në fshatin Gjashtë, ku u dëmtuan me sende të forta dy vëllezër dhe u hap zjarr me pistoletë, 19-vjecari Izet Abazaj, edhe pse ishte në kërkim policor, po darkonte bashkë me efektivët e policisë dhe miq të tyre në lagjen nr.4 të Sarandës. Jashtë lokalit ka ndodhur një konflikt verbal, pikërisht për mbajtjen e makinës nga Abazaj, që mendohet se është edhe zanafillë e sherrit që vijoi pas mesnate.

Policia është njoftuar për debatin pranë lokalit dhe është gjendur menjëherë në vendngjarje.

Kur është qetësuar situata, policia ka vënë re prezencën e Izet Abazajt, i cili kërkohej prej 31 dhjetorit, i identifikuar pas një pune operative të policisë si autor i një vjedhje me dhunë. Menjëherë efektivë të Komisariatit të Sarandës kanë ndaluar 19-vjecarin dhe e kanë shoqëruar në Komisariat.

Gjatë kësaj kohe, 4 kolegët e tyre, efektivët me mbiemër Sulejmani bashkë me shokë të tyre, janë zhvendosur drejt fshatit Gjashtë për të “sqaruar” sërish atë çka ishte lënë në mes, ku më pas ka ndodhur ngjarja e rëndë që shkaktoi plagosjen e dy personave me sende të forta, ndërkohë që një efektiv hapi zjarr me pistoletë. Forcat “Shqiponja” të informuara nga Salla

Operative janë nisur sërish me urgjencë drejt Gjashtës, ku falë ndërhyrje së shpejtë është parandaluar një vrasje e mundshme, pasi të shtënat vijonin edhe në prezencë të policisë.

Ditën e diel do të paraqiten pranë Gjykatës së Sarandës, 8 personat e arrestuar, mes të cilëve 4 efektivë policie, për t’u njohur me masën e sigurisë. Ndërkohë vijon kërkimi për dy persona të tjerë, mes të cilëve një ish efektiv i Komisariatit të Sarandës. /gazetajone