Një shqiptare nga Durrësi, Mira Dreaj, u martua dje në Leposaviç me serbin Dejan Slavkoviç. Ata u martuan në Kishën Ortodokse në Soçanicë, pasi shqiptarja para pak kohësh ishte konvertuar në Ortodokse.
Pas dasmës në kishë, ata kanë shëtitur nëpër rrugët e Leposaviçit në veri të Kosovës, madje edhe pranë ndërtesës së komunës ku po vazhdojnë protestat e serbëve dhe ku është duke qëndruar edhe kryetari i komunës, Lulzim Hetemi.
Mira tha se ajo tani ndihet serbe, dhe se sipas saj ka shumë shqiptarë me origjinë serbe, që nuk e dinë një gjë të tillë.
Ndërsa dhëndri, Dejani tha se Mira i ka thënë se do t’i lindë fëmijët e tyre si ortodoksë, në Kosovë.
“Faleminderit Mira që pranove të bëhemi një. Edhe nëse Mira nuk do të kishte pranuar besimin tim, unë nuk do të isha zemëruar. Kjo ishe dëshira e saj. Kjo më tha mua- Unë dua t’i lind fëmijët e tu si ortodoksë në Kosovën tënde dhe kjo më gëzoi shumë’’- tha serbi, Dejan.
Këtë fjalim serbi e dha teksa kaloi pranë pengesave ku po qëndrojnë trupat e KFOR-it, pranë ndërtesës së komunës ku po qëndron kryetari i ri tash e 16 ditë.