“Kateri i Radës” u nis drejt Italisë, një javë pasi ishte firmosur marrëveshja. Ishte ora 16:40 e një pasditeje me diell.
Shumë shpejt, udhëtimi i shpresës do të kthehej në udhëtimin e fundit për pjesën dërrmuese të pasagjereve.
Krenar Xhavara u ngjit në këtë anije me gruan e tij dhe vajzën 6 muajshe. Në këtë udhëtim ishte edhe i vëllai Vironi, bashkë me gruan dhe tre fëmijët. Të dy burrat qëndruan në kuvertën e anijes, ndërsa bashkëshortet zbritën poshtë në kabinë që të mbronin fëmijët nga i ftohti.
Dy vëllezërit arritën të shpëtonin, por, që të dy humbën familjet. Krenari, edhe sot pas 26 vitesh nuk mund të harrojë asnjë detaj nga ai udhëtim fatkeq ku iu shuan dy familje të zemrës.
Ai rrëfen se vetëm pak minuta pas nisjes, në afërsi të “Sazanit” ata janë pikasur nga korveta “Zeffiro” që kishte marrë pjesë edhe në luftën e gjirit Persik. Kjo anije i ka ndjekur në ujërat shqiptare për rreth një orë e gjysëm, ndërkohë që kishte edhe një helikopter që patrullonte në ajër dhe u lëshonte dritat.
“Ajo na bënte thirrje me një megafon: “Klandestini kthehuni prapa”. Ne nuk e konsideronim veten si klandestinë dhe ishim mbi 100 veta, kur ligji ndërkombëtar thotë se mbi 100 vetë i gjykon njëherë kërkesat në tokë dhe pastaj merr vendimin për ta kthyer,” u shpreh i mbijetuari “Kateri I Radës”, Krenar Xhavara.
Referuar dosjes hetimore të autoriteteve italiane, anija është pikasur nga korveta italiane rreth orës 17:15 në afërsi të Sazanit. “Zeffiro” asokohe ishte angazhuar në operacion e përbashkët “Flamujt e Bardhë” mes Shqipërisë dhe Italisë.
Pas refuzimit të emigrantëve për tu kthyer pas, “Zeffiro” lajmëroi rojat bregdetare Italiane. “Kateri i Radës” do të ndiqej nga korveta ushtarake “Sibila”, rreth 87 metra e gjatë dhe 11 metra e lartë.
Urdhrat ishin të qartë: “Harasment” që do të thotë të përdorej protokolli i thyerjes së embargos. Anija shqiptare duhet të ndiqej për një kohë të pacaktuar dhe të kthehej me çdo kusht sërish në brigjet shqiptare.
Sibila ishte një makineri lufte e vërtetë, lëvizte me shpejtësi rreth 50 km/orë dhe ishte e pajisur me radarë dhe teknologji që ka filmuar çdo gjë, ndërsa anija shqiptare kishte një shpejtësi prej vetëm 19 km orë.
Në orën 18:45, kur ndodhej në mes të kanalit të Otrantos, pavarësisht se kishte ngritur flamurin e bardhë dhe në kuvertë kishte fëmijë, mjeti lundrues u godit nga korveta ushtarake “Sibila”.
“Këtë parandjenjë që do të na godisnim dhe do të bënin një krim? As nuk e kemi menduar fare. Të bënin luftë me fëmijët, të mbysin fëmijët, ndërkohë që ishte e premtja e shenjtë për ata, që e mbajnë veten edhe për besimtarë,” tha Xhavara.
Fillimisht ajo iu afrua deri në 7 metra anijes shqiptare, që ngjante si një varkë letre përballë përbindëshit “Sibila”. Qëllimi ishte të krijonte dallgë dhe anija shqiptare të detyrohej të kthehej pas ose mbytej. Anija ushtarake italiane ishte 5 herë më e gjatë se “Kateri i Radës”. Për shkak të shkeljes së distancës së sigurisë, bashi i “Sibilës” e goditi keqas kiçin e “Katerit të Radës”.
Kjo ishte goditja e parë. Më pas u fërkua përgjatë anijes shqiptare duke i bërë një vrimë me diametër rreth 40 cm në anësore. Goditja e tretë ishte fatalja. Bashi i korvetës italiane goditi kullën e komandimit të anijes së vogël shqiptare, duke i hipur sipër. 4 emigrantë u shtypën në kullën e komandimit. Anija shqiptare u përmbys dhe u mbyt brenda 8 minutash, duke shkaktuar një tragjedi me përmasa të mëdha.
Trupat e 24 prej tyre nuk u gjenden asnjëherë. 34 persona mundën të mbijetonin.
Xhavara që ndodhej lart në kuvertë e ka parë të gjithë ngjarjen. Ai thotë me saktësi edhe orën kur kanë marrë goditjen fatale, pasi akrepat e orës i kanë ngecur në momentin që ra në ujë.
“Në orën 18:50 që më ngecën akrepat e orës në ujë, ata erdhën nga mbrapa në mënyrë tinëzare, tamam kriminale. Dhe me majën e tyre si Titaniku e goditën anijen shqiptare. E goditën në kullën e komandimit dhe i bënë një “gropë në anësore rreth 40-50 cm me bulbën që ka anija dhe mbi kabinën e anijes sonë, i hipën sipër…pamm dhe anija u përmbys dhe ka ndenjur 8 minuta me kokë poshtë”, u shpreh i mbijetuari Xhavara.
Si i braktisi anija “Sibila” gratë dhe fëmijët shqiptarë
Më çnjerëzorja në gjithë këtë histori është fakti se pas pas incidentit korveta “Sibila” u largua duke i lënë njerëzit të mbyteshin.
Anija italiane u rikthye vetëm pas gjysëm ore, por koha kishte qenë e mjaftueshme që dhjetëra burra, gra e fëmijë të mbyteshin.
“Afër meje ishte një vajzë nga fshatrat e Fierit që më kërkoi ndihmë dhe e kam tërhequr deri te anija italiane që u kthye pas 30 minutash se donte të na linte. Pashë trupa që kishin vdekur. Kishin pirë ujë. Ishin të fryrë“, u shpreh Krenari.
Edhe pasi anija është kthyer, trajtimi i ekuipazhit ndaj shqiptarëve ka qenë mizor. Madje, ata kanë kërcënuar emigrantët që guxuan t’i akuzonin për shkaktimin e atij krimi kundër fëmijëve të pambrojtur.
“Pas gjysmë ore erdhi sërish “Sibila”, na ndau në dy grupe. 23 në një korridor, na solli një çaj dhe njëri nga shokët tanë i tha çfarë bërë o kriminel na vrave: “Rri urtë” i tha se ju hodha edhe ju në det. Ishte një kriminel i betuar ndaj shqiptarëve”.
Kush nuk do të drithërohej vetëm duke lexuar emrat dhe ditëlindjet e këtyre ëndërrimtarëve që po përpiqeshin të largoheshin nga vendi, pas anarkisë që e kishte përfshirë nga falimentimi i skemave piramidale.
Si i manipuloi hetimet pala italiane
Trupat e të mbyturve u nxorën 8 muaj më vonë, nga 823 metra thellësi, pas një operacioni katër ditor.
Brenda anijes “Kateri i Radës” u gjendën 57 trupa, kryesisht gra e fëmijë, të cilët gjatë momentit fatal ndodheshin të kyçura në ambientet e brendshme, pa asnjë mundësi shpëtimi.
Përveçse një proces i dhimbshëm, familjarët akuzojnë se edhe kur është nxjerrë anija me trupat e pajetë ka patur tentativa për manipulim nga ana e italianëve, pasi donin sa më pak viktima.
Në këtë ceremoni nuk ishte asnjë përfaqësues apo zyrtar i palës italiane, por vetëm një rresht i gjatë me rroba dhe sende personale, ku familjarët shkuan një nga një për të identifikuar të dashurit e zemrës.
“Ata e bënin kastile kur bënin filmime, por unë e dija ku ishte familja ime, te komanda brenda, se bënin kastile filmime dhe nuk dukej familja ime dhe i thashë: Do të marr ty si te filmi, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur,” isha shumë i revoltuar”.
Procesi i verifikimit të trupave ka qenë një moment dramatik për familjarët. Ata rrëfejnë se trupat nuk ishin prishur fare dhe ishin lehtësisht të identifikueshëm, përveç fëmijëve të mitur.
Krenari ende nuk ka mundur ta harrojë pamjen e vogëlushes së tij, e cila qëndroi në fund të detit më shumë se sa qëndroi në jetë. Por u deshën edhe 6 muaj të tjerë që trupat e tyre të pajetë të vinin të preheshin në tokën e tyre, në vitin 1998.
Së bashku me “Katerin e Radës” dolën në sipërfaqe edhe dy prova të forta: dy gropa të shkaktuara nga “Sibila” që ishin mohuar nga autoritetet italiane, por çdo dëshmitar kishte këmbëngulur se ishin goditur.
Ky është memoriali i viktimave të pafajshme që nuk i shkaktoi një luftë, por justifikimi i një marrëveshje për ruajtjen e kufijve detarë në dëm të jetëve të pambrojtura njerëzore.
Familje të tëra të shuara…. të rinj që ëndrrat u ngelën përjetësisht në ujërat e Otrantos dhe qindra familjarë që nuk kanë mundur të gjejnë as paqe e as drejtësi për të afërmit e tyre.
Dekani i Fakultetit të Drejtësisë: Veprimi i anijes italiane, kriminal
Prej 26 vitesh “Kateri i Radës” është fundosur qindra herë në një proces gjyqësor që nuk dha drejtësi.
U zvarrit me procedura të ngadalta për 17 vite me radhë, apo nxitime të befta, që nxorën jashtë skene kupolën drejtuese të Marinës Italiane.
Admirali Alfio Bateli dhe Admiral Umberto Guarino, që supozohet të jenë dy përgjegjësit kryesorë që dhanë urdhrat, u përjashtuan nga hetimi një vit pas fundosjes së “Katerit të Radës.” Përgjegjësia e mbytjes u hetua si individuale, vetëm tek dy kapitenët e anijeve.
Ksenofon Krisafi, njohës i së drejtës ndërkombëtare, njëkohësisht edhe Dekan pranë Fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Humane në universitetin mesdhetar thotë se ngjarja është në tejkalim të normave të së drejtës ndërkombëtare.
“Nëse do të gjykonim që këta njerëz, që morën një anije në rrethana të caktuara dhe i mbarkuan që të iknin nga vendi i tyre, ku nuk e gjenin dot atë që kërkonin dhe që mendonin se do ta gjenin në dhe të huaj, në Itali. Ndoshta veprimi nga pikëpamja thjesht formale do të ishte i gabuar, jo shumë i drejtë, por prapë se prapë ndëshkimi që ato morën është jashtëzakonisht disproporcional, i tepruar, kriminal me plot kuptimin e fjalës”, u shpreh Dekani i Fakultetit të Drejtësisë Ksenofon Krisafi.
Çfarë ndodhi me procesin gjyqësor të “Katerit të Radës”?
Absurdi është që ata që shkaktuan tragjedinë, pra pala italiane, ata kryen edhe hetimin edhe gjykimin e çështjes.
“Ngjarjen tonë nuk duhet ta drejtonte Italia, sepse Italia ne na qëlloi, na vrau. Si mund të drejtojë një gjykatë që të vret? Vrasësi edhe të vret edhe të gjykon. Ne kemi qenë të abandonuar edhe në atë kohë edhe tani, një antishqiptarizëm i theksuar”, u shpreh i mbijetuari Krenar Xhavara.
Në atë periudhë të errët, ku shqiptarët sorollateshin në procedura të pafundme për marrjen e një vize, familjarët e viktimave u lanë vetëm nga shteti shqiptar. Asnjë përfaqësues i shtetit shqiptar nuk i ka shoqëruar apo lehtësuar familjarët në ndjekjen e procedurave ligjore për gjyqet. Asnjë lehtësim nuk erdhi as nga pala italiane si e paditur në këtë gjyq. Përkundrazi!
Marina Luftarake Italiane nisi një hetim të brendshëm, një ditë pas tragjedisë, pikërisht më 29 mars 1997. Hetimi konkludoi se një ndër shkaqet e mbytjes ishte kontakti mes anijeve “Sibila” dhe “Kateri i Radës”, që kishte ardhur si pasojë e një manovre të rrezikshme nga “Kateri” dhe animit të saj.