Pedagogu Ervin Karamuço shpjegoi se grupet satanike janë shtuar shumë në Shqipëri duke marrë shpesh edhe jetë njerëzish përmes sakrificës apo çuarjes së anëtarëve të tyre drejt vetësakrificës.
Profesori i Kriminologjisë në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë tha se Shqipëria nuk ka ende ligj që ndalon apo ndëshkon aktivitete satanike ç’ka e ka bërë vendin një parajsë për këto rite. Duke publikuar edhe një video të xhiruar në një prej plazheve të Shqipërisë teksa thotë se bëhet fjalë për ritin e vrasjes së një qeni, Karamuço tha se kohët e fundit janë vërejtur edhe fenomene të çuditshme nëpër varreza.
Ai renditi varrezat e Durrësit dhe të Shkupit ku janë kryer rite satanike, por ndryshe nga Shqipëria, në Maqedoninë e Veriut personat që e kanë bërë këtë janë ndëshkuar.
“Këto rite bëhen kryesisht në ritet e vona të natës dhe në vende të ndryshme, përfshi edhe varrezat. Ka njerëz që përmes magjisë së zeze duan të ndikojnë në botën e përtejme në shpirtrat e personave që kanë urryer apo që i kanë dashur duke i dërguar sipas tyre në ferr apo duke i rikthyer ata që kanë dashur. Pak kohë më parë mësuam se një rit satanik ishte bërë në varrezat e Durrësit. Sëfundmi kemi patur edhe një rast në varrezat e Shkupit”, tha Karamuço duke theksuar se sektet satanike bëjnë rite të ndryshme.
“Ka rite që xhirohen gjatë natës dhe hidhen në rrjetet sociale. Ka patur mjaft raste që janë shkruar gjëra të ndryshme mbi pllakata në këto varreza. Secili sekt ka doktrinën e tij. Ata e bëjnë këtë për interesat e tyre kriminale”, tregon Karamuço. /Gazeta Jone