53-vjeçari Arjanit Rizaj u vra në parkingun e spitalit Luis Vernaza, në qendër të Guayaquil, kur dy persona me motor i janë afruar makinës së tij dhe e kanë qëlluar disa herë.
Ngjarja ka ndodhur në orën 20:30 të së enjtes së datës 9 nëntor dhe më pak se një orë më vonë u konfirmua vdekja e tij në një spital tjetër aty pranë, si pasojë e plagëve me armë zjarri.
Dëshmitarët kanë treguar se ai ndodhej brenda një automjeti duke pushuar, kur në parking ka hyrë një motoçikletë e bardhë me dy persona dhe i është afruar makinës së Arjanitit.
Ata dëgjuan një breshëri të shtëna armësh dhe më pas panë motoçikletën duke u larguar me shpejtësi. Bashkëshortja e viktimës ndodhej pak metra më tutje, në hyrje të spitalit, pasi aty është shtruar babai i saj.
Policia, sipas mediave vendase, bëri me dije se në urgjencën e spitalit nuk e kanë pranuar dhe se është dërguar në një klinikë private që ndodhet tre blloqe më tutje. 40 minuta më vonë 53-vjeçari ka ndërruar jetë.