Kur kanë kaluar pothuajse 24 orë nga ngjarja e rëndë që ndodhi në plazhin e Potamit në Himarë, kryeministri shqiptar Edi Rama ka reaguar sërish në rrjetet sociale, duke u mburrur se deri dje, ky ishte sezoni më i mirë që Shqipëria ka pasur ndonjëherë.

Teksa nuk gjen asnjë rresht të reagimit të tij, për t’i kërkuar ndjesë familjes së vogëlushes që u vra dje në Himarë, Rama gjen rastin që të sulmojë kundërshtarët politikë, që sipas tij shfrytëzojnë çdo fatkeqësi për interesa të tyre personale.

Në një ditë dhimbje për familjen Avdia si kjo e sotmja, kreu i qeverisë gjen rastin që të flasë për vizionin e kabinetit të tij, që Shqipëria të jetë kampione e turizmit në rajon. Një Shqipëri e cila ka dështuar që të garantojë siguri për pushuesit, e ku infrastruktura dhe kontrolli i lihen në dorë fushatave dhe rastësisë.

Edi Rama:

Madhësia e tragjedisë së djeshme në Himarë e bën edhe më të madhe se çdo herë tjetër, ligësinë e verbër të vampirëve politikë e mediatikë që s’lenë plagë pa futur gojën e tyre të përdalë, duke kërkuar përfitimet e tyre mizerabël në shkelje të çdo kodi moral, familjar, kombëtar!

Ky është sezoni më i organizuar, më i rregullt e më i pastër turistik ndonjëherë falë punës së palodhur që kemi nisur qysh shtatorin e shkuar! Ishte deri dje edhe sezoni më i qetë e më i sigurtë, me plazhet publike dhe rrjetin e vrojtuesve të plazhit organizuar si asnjëherë tjetër!

Tragjedia e djeshme ka tronditur të madh e të vogël dhe ka krijuar një ndjenjë të rëndë shqetësimi, ndërkohë që Policia e Shtetit po merr të gjitha masat për të reaguar shumë më fort ndaj sfidës së garantimit të rendit ligjor jo vetëm në qarkullimin rrugor, po edhe atë ujor.

Vizioni i Shqipërisë turistike dhe ambicia që kjo të jetë dekada e kthimit të vendit tonë në kampionin rajonal të turizmit, lidhet edhe me rritjen e lartë të mjeteve lundruese dhe sfidën e disiplinimit të tyre, që nuk është një fjalë goje në një vend ku deri dje ato s’ekzistonin!

Shkarkimi i gjithë trupës së drejtorisë së kufirit Vlorë dhe vendosja e një fokusi të shtuar mbi qarkullimin ujor, janë hapat e duhur që do të pasohen nga hapa të tjerë, në kushtet kur rritja e përvitshme e numrit të mjeteve lundruese përbën një sfidë të vazhdueshme për të gjithë!

Sa për çetat e udhëhequra nga nongratat dhe nga ata me identitet të dyfishtë që kërkojnë ta kthejnë këtë vdekje tragjike në motiv lufte politike, kjo s’është as e para as e fundit herë kur një fatkeqësi që trondit shoqërinë, ekspozon shëmtinë e pacipë të shpirtit të tyre!

Uroj edhe njëherë që drejtësia t’i japë ndëshkimin më ekstrem fajtorit për këtë tragjedi!