Hetuesit në Nju Jork po shqyrtojnë mundësinë nëse ka pasur një përleshje mes çiftit shqiptar, që humbi jetën në fundjavë pasi u hodhën nga apartamenti i tyre.
Gazeta ‘New York Post’ shkruan se Florind Belliu, 35 vjeç, dhe e shoqja, Ornela Shehi, 28 vjeç, u gjetën të vdekur në oborrin e pallatit, pasi mesa duket ishin hedhur nga kati i gjashtë.
Por një burim policor tha se gjërat brenda në apartament nuk dukeshin në harmoni. “Nuk dukej sikur ata thjesht kishin lënë fëmijët dhe kishin vendosur të hidheshin”, tha burimi.
Sipas tij, kishte shenja në apartament që gjërat nuk ishin siç duhet, por nuk dha detaje. Çifti nuk la pas një shënim vetëvrasjeje.
Autoritetet po presin për autopsinë për të përcaktuar nëse Shehi kishte shenja të tjera dhune përpara se të binte nga pallati.
Një kamera ka fiksuar momentin kur Shehi bie nga kati i gjashtë. Pak sekonda më vonë hidhet edhe Belliu.
Çifti kishte katër muaj që ishte vendosur në këtë godinë bashkë me dy fëmijët e vegjël. Autoritetet thonë se nuk kanë marrë ndonjë denoncim për dhunë në familje.
Belliu ishte një aktor me origjinë nga Shqipëria. Së fundmi ai punonte si shofer për të mbuluar shpenzimet.