
Pas një muaji në qeli, Erion Veliaj do të paraqitet këtë të martë në Gjykatën e Apelit të Posaçëm, ku pritet të shqyrtohet ankimimi për masën e arrestit me burg. Seanca pritet të nisë në orën 10:00.
Gjyqtari i apelit Engert Pëllumbi do të vendosë nëse do pranojë kërkesën e Veliajt për lirimin nga qelia, apo do të lërë në fuqi vendimin e dhënë nga gjyqtari Erion Bani.
Një ditë më parë, Veliaj tha se në seancën e së martës, ku kërkon lirinë, do të flasë më shumë për çështjen ndaj tij. Ai theksoi se do të mbrojë veten, familjen, por edhe çdo shqiptar që beson te drejtësia.
Prej datës 10 shkurt, kryetari i bashkisë së Tiranës mbahet i arrestuar me dyshimin se ka kryer dy vepra penale, atë të korrupsionit dhe pastrimit të parave. Në seancën e mbajtur 2 ditë më vonë pas arrestimit, më 12 shkurt për vleftësimin e masës së arrestit të dhënë në mungesë ndaj Veliajt, kryebashkiaku përmes avokatëve mbrojtës ofroi edhe garanci pasurore në këmbim të lirisë, por u refuzua nga gjykata.
Nga hetimet ka rezultuar se Erion Veliaj në cilësinë e kryetarit të bashkisë ka ngritur një skemë të mirëfilltë kriminale në bashkëpunim me bashkëshorten e tij Ajola Xoxën, biznesmenë dhe organizata jo fitimprurëse të lidhur me të për përfitimin e shumave të mëdha monetare. Nga ana tjetër, Veliaj ka pretenduar se akuzat e prokurorisë janë të pabazuara dhe tendencioze./gazetajonë