AJOLA XOXA

Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, është paraqitur këtë të enjte në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) në zbatim të masës “detyrim paraqitje”.

Sipas vendimit të gjyqtarit Erjon Bani, Ajola Xoxa duhet të paraqitet në SPAK të premten e parë dhe të tretë të çdo muaji, në orën 11:00. Fillimisht, Xoxës iu caktua masa “arrest në shtëpi”, por pas tre ditësh, GJKKO ia lehtësoi masën, për shkak të djalit të vogël, duke qenë se dhe Erion Veliaj ndodhet në burg.

Ajola Xoxa akuzohet nga SPAK për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

Nga hetimi i SPAK ka rezultuar se Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa kanë krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash dhe kompanish të kontrolluara prej tyre apo të afërmve të tyre dhe kanë përfituar së paku 1.1 milionë euro në nëntë raste. Veliaj akuzohet se ka përfituar tre vila në një fshat turistik në Qerret ndërsa Xoxa akuzohet se ka shpenzuar rreth 800 mijë euro në blerje online, të cilat nuk i ka deklaruar në deklaratat vjetore.

Biznesmenët Elman Abule, Gentian Sula, Shkëlqim Fusha, Fatmir Bektashi, Meriman Palushi dhe Sokol Kryeziu në këmbim të tenderave nga Bashkia e Tiranës dhe lejeve të ndërtimit, i ofronin Erion Veliajt, shuma monetare nëpërmjet blerjeve fiktive, biletave avioni, sponsorizimeve, OJF-ve të Ajola Xoxës, si dhe pasurive të paluajtshme, si disa vila në Qerret.