Një qendër prostitucioni e kamufluar si qendër masazhi është zbuluar në Tiranë, në Unazën e re.
Në pranga janë vënë dy vajza, të moshës 28 dhe 20 vjeç, ndërsa është shpallur në kërkim një djalë.
Sipas policisë, vëlla e motër, përkatësisht 23 dhe 28 vjeç, shfrytëzonin vajza për prostitucion.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Tiranë, si rezultat i hetimeve të zhvilluara në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në kuadër të operacionit policor të koduar ‘Extra’, arrestuan në flagrancë dy shtetase.
K. H., 28 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale ‘Shfrytëzimi i prostitucionit’;
D. L., 20 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale ‘Prostitucioni’.
Gjithashtu, në vijim të veprimeve për këtë rast, u shpall në kërkim shtetasi K. H., 23 vjeç, banues në Tiranë, administrator i një qendre masazhesh. Vijon puna për kapjen e tij.
Gjatë kontrollit të ushtruar në qendrën e masazheve, në Unazë të Re, që menaxhohej nga 23-vjeçari, u konstatua se shtetasja K. H. (motra e shtetasit K. H.), shfrytëzonte për prostitucion, një punonjëse në këtë qendër.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 60 500 lekë të rinj, të dyshuara të përftuara nga kjo veprimtari e kundërligjshme”, njofton Policia.