Të shkruash një letër në këto kohë duket praktikisht si një shaka pa kripë. Një mesazh në aplikacione është maksimumi që mund të bëjmë, e letrat e dashurisë tanimë janë pothuajse inekzistente. Por dikur nuk ishte kështu. Mjafton të kujtojmë disa prej letrave të disa prej figurave më të shquara si Remarque, Napoleon Bonaparti, Churchill apo Hygo, për të kuptuar se dashuria shkrihet aq bukur në një letër e pak bojë të zezë.
Letra e Erich-Maria Remarque, dërguar të dashurës së tij, Marlene Dietrich, 18 janar 1939
“Shpirti im, qielli im i dashur, ti më ke shkruar kaq e kaq letra të bukura e, unë përsëris atë që kam thënë gjithmonë: shkrimtarët nuk duhet të shkruajnë letra dashurie. Sepse ka të tjerë që shkruajnë shumë më bukur se ata. Ti më quan “Rezonancë që merr fryme” – e si do të mund të arrija unë vallë, të gjeja një figurë të tillë kaq prekëse? E, përveç kësaj edhe diçka tjetër! Ti, arrin, dhe ke atë aftësinë magjike qe t’i thuash dikujt se sa shumë e si e dashuron atë – kurse unë, unë, e di, nuk arrij ta them atë në mënyrë të plotë. Sa mirë ndjehem kur ti me thua se, edhe pse je vetëm, ndjehesh e qetë dhe e lumtur. Unë, këtë, kam uruar vazhdimisht për ty. Nuk kam uruar kurrë që ti të ndjehesh e mërzitur dhe fatkeqe. Kam dashur gjithmonë që ti të jesh e lumtur, në formë, vezulluese, plot dritë dhe e bukur si kurrë here tjetër e, dua që kjo gjendje e jotja të jetë e dukshme edhe së largu në kilometra e, që ti t’a dish me siguri absolute që dikush tjetër nuk jeton në këtë botë, veçse për ty. Sot gjeta dhe lexova edhe një herë poemën tonë të Gëtes. E lexova dhe e rilexova vërtetë me një emocion të thellë: A s’është e vërtetë që fati po na bashkon? A nuk po na lidh ai për jetë? Ah, dhe në kohët që shkojnë, Nuk di, ti je motra a nusja ime? Ti njeh me imtësi çdo pjesë të qenies sime, Ti ndjen tek unë dhe nervin më të hollë, Ti lexon çdo gjë në shikimin tim, Me syrin tënd hyn në brendësinë time. Hyn në gjakun tim të ngrohtë që rrjedh ne deje dhe ecën si i çmendur në drejtimin tënd e që me krahët e tua prej engjëlli gjoksin tim shëron . Po, e dashura ime, a nuk është pikërisht kështu? Nganjëherë, më ndodh të eci i vetmuar nën shi e të mendoj e ndjej që lidhja jonë është gjithmonë e fortë, e askush nuk mund t’a prishë atë e, në ato çaste, me hapa të lehta ndjej të vijë dikush drejt meje e, ajo je ti e, atëherë, unë jetoj një ndjenjë të veçantë lumturie që asnjë qenie tjetër njerëzore nuk e ka jetuar kurrë. E, atëherë, ndjej qe së bashku me ty, të kthehen tek unë vitet e rinisë që lufta dhunshme mi mori e, ato vite je ti që mi sjell e mi shumëzon me dy, e bashkë me to ndjej të prek me delikatesë – freskinë, gjallërinë dhe aventurat e rinisë. E, kështu, ti bëhesh, në të njëjtën kohe: aventura e gruaja ime. Ti je bërë për mua e unë jam bërë për ty; nuk mund të jetë ndryshe. Nuk je vetëm ti ajo rezonancë që unë ndjej e thith si ajër, por i tillë jam dhe unë. E di?… Unë jam një pasqyrë konkave të kap plot ethe dritën tënde, e mbledh atë plotësisht në gjoks dhe, duke e djegur fort, e dërgoj krejt refleksin në drejtimin tënd. Herë të tjera vetja me duket si një merimangë që end një pëlhure vezulluese, të trëndafiltë e plot reflekse, – një pëlhure mendimesh, ndjenjash, pune, fjalësh ngrohtësie, e cila do të të kapë e pastaj të bëhet banesa jotë, – e mbushur plot gjëra të cilat ty të mungojnë, një pëlhure plot trëndafila e dafina, e thurur me fije të ndritshme argjendi, e lehtë dhe e fortë për të mbajtur ty dhe hapat e tua të lehte si kaprolli, një pëlhurë të ngritur nën një qiell të kaltër e mbi ujin blu të detit, nga ku ti mund te hidhesh e të kridhesh gjithë qejf në ujërat e kristalta e të kthehesh pastaj përsëri tek ajo, si një lodër e këndshme fëmijësh e cila t’a mbush zemrën plot ngashërim. O, drita ime e dashur!… E di?… Nganjëherë, unë nuk mund të ulem për të shkruar librin që kam nisur, e të cilin e urrej, sepse ai më largon prej teje. E atëherë tërhiqem nga studioja, nxjerr fotografitë e tua dhe i vendos në radhë para meje edhe pse e di që kjo gjë nuk më qetëson, përkundrazi, e bën edhe më të rëndë gjëndjen. Por, megjithatë, edhe pse këtë e di, nuk ndërroj mendje e, duke i vështruar ato, nis e flas me ty e, pastaj, ndjej që gjendja ime shpirtërore bëhet edhe më e rëndë, sepse është një gjest i vështirë ky, i padurueshëm, por edhe i mrekullueshëm e, pastaj unë tërhiqem përsëri aty tek vendi im, ulem në tavolinën e shkrimit për të vazhduar librin… Ja, tani ndalova përsëri, sepse ndjej që dora s’më bindet. Më duaj! Më thuaj që ti më do, kjo fjalë më bën mirë, më shëron. Kur ti më thua që më do, unë gjej forca e shkruaj edhe më bukur e më shpejt. Sepse unë nuk jetoj veçse për dashurinë tënde. Më duaj…
Janar 1820 – Viktor Hygo për të dashuren e tij Adele
Disa fjalë nga ti, Adela ime e dashur, prapë e ndryshuan gjendjen e shpirtit tim. Po, ti ke çdo forcë mbi mua, dhe, edhe po të vdisja e pyes vetën nëse [vetëm] tingulli i ëmbël i zërit tënd, nëse shtypja e butë e buzëve tua të dashura do mjaftonin për ta rikthyer jetën në trupin tim. Sonte do fle shumë i ndryshëm nga dje! Dje, Adèle, i gjithë besimi në të ardhmen më kishte ikur, nuk besoja më në dashurinë tënde, dje ora e vdekjes do kishte qenë e mirëseardhur për mua. – Megjithatë, i thoja prapë vetës, nëse vërtetë ajo s’të do, nëse asgjë në shpirtin tim s’ka arritur ta meritojë dashurinë e saj pa të cilën nuk ka më sharm në jetën time, a është kjo një arsye për të vdekur ? A eksitoj unë për lumturinë time personale ? Oh jo ! E gjithë qenja ime i është përkushtuar asaj, deshi apo s’deshi ajo. Dhe me çfarë të drejte do guxoja të pretendoja dashurinë e saj ? A jam më shumë se engjull unë apo më shumë se Zot? E dua, është e vërtetë, unë jam i gatshëm të sakrifikoj gjithçka për të, gjithçka, edhe shpresën që ajo të më dojë një ditë; s’ka përkushtim që s’do e bëja për të, për një buzëqeshje të saj, për një shikim të saj. Por a mund t’isha tjetër unë ? A s’është ajo qëllimi i vetëm i jetës sime? Edhe nëse më dëshmon indiferencë, madje edhe urrejtje, le të jetë ky mallkimi im, e çka atëherë ? Nëse ajo nuk mundet të më dashurojë, unë duhet ta akuzoj veten time. Detyra ime është që t’i ngjitem hapave të saj, ta rrethoj ekzistencën e saj me timen, t’i shërbej si barrierë kundër çdo rreziku, të vendosem pa ndalë ndërmjet saj dhe të gjitha dhimbjeve, pa pritë asnjë shpërblim. (…) Dje, në këtë orë, Adela ime e dashur, këto ishin mendimet dhe dëshirat e shpirtit tim. Ato janë ende të njejta sot. Vetëm se tash në to përzihet edhe siguria për lumturi, për atë lumturi aq të madhe saqë s’guxoj as ta mendoj pa u dridhur. Pra, është e vërtetë që ti më do, Adèle ! Më thuaj, a mund ti besoj kësaj ideje kaq të bukur ? A beson se mund të çmendem nga gëzimi nëse jetën time e kaloj pranë teje ? (…) Fli e qetë dhe lejo burrin tënd t’i marrë dymbëdhjetë puthjet që ia ke premtuar dhe të gjitha të tjerat që s’ia ke premtuar…
Napoleoni i shkruan bashkëshortes së tij Zhozefinës, Paris (1795)
Kam ecur me mendjen mbushur me mendimet për ty. E ëmbla ime, e pakrahasueshme ç’efekt të çuditshëm ke mbi zemrën time. Por çfarë mbetet akoma kur nga buzët e tua, zemra jote merr një dashuri që më tret si zjarri? Je e zemëruar? Pse më dukesh e trishtuar? Je e shqetësuar?… Sa dhimbje ndjej në shpirt! Ti do të largohesh në mesditë. Do të të shoh brenda tri orëve. Deri atëherë, e dashura ime e ëmbël të dërgoj njëmijë puthje, por mos më jep asnjë si shkëmbim, pasi ato ma ndezin gjakun më keq.
Winston Churchill pwr bashkëshorten e tij, Clemmie Churchill
10 gusht, 1894
E dashura ime Clemmie!
Në letrën që më dërgoje nga Madras shkruaje disa fjalë shumë të dashura për mua, se si unë e kisha bërë më të mirë jetën tënde. Nuk mund të ta përshkruaj kënaqësinë që më dhe sepse gjithnjë jam ndjerë aq shumë në borxh me ty, gjithnjë nëse në dashuri mund të mbahen llogari. Se ç’do të thotë të jetoj gjithë këto vite në zemrën dhe praninë tënde, nuk ka fjalë që ta përshkruajnë. Koha kalon shpejt, por nuk ka asgjë më të gëzueshme se sa të shohësh sa i madh dhe si shtohet thesari që ne kemi grumbulluar së bashku nëpërmjet stuhive e trishtimeve të miliona viteve tragjike, të tmerrshme e plot ngjarje.
Bashkëshorti yt i dashur…
Theodore Roosevelts drejtuar bashkëshortes së tij, Edith Roosevelt, 20 maj 1943
E dashur Bunny!
E di se çfarë është kjo – një letër për përvjetorin e martesës. Unë mendoj se duhet të mbërrijë në kohën e duhur. A të kujtohet ajo ditë e nxehtë qershori para tridhjetë e tre vitesh? Kisha e tejmbushur me njerëz, babai me atë jelekun e mrekullueshëm me pika blu, turmat në rrugë, velloja jote e bardhë, mamaja jote me një prej atyre kapeleve të mrekullueshme. Dhe, a e mban mend si ishte bota atëherë, e vogël dhe e rregullt, një rend ndryshe. Gjërat kanë ndryshuar shumë që atëherë. Asgjë s’ka ndodhur ashtu siç e imagjinonim se do të ndodhte përveç fëmijëve tanë. Ne s’e menduam asnjëherë se do t’i binim botës kryq e tërthor. Ne nuk e menduam kurrë se profesionet dhe interesat tona do të shkonin aq larg. Ne nuk e menduam kurrë se tridhjetë e tre vjetori i martesës sonë do të na gjente të zhytur në Luftën tonë të Dytë me mua sërish në front. Epo e dashur, duhet thënë se ne kemi jetuar sipas pjesës më të rëndësishme të ceremonisë “Në të mirë e në të keq, në pasuri e varfëri deri sa vdekja të na ndajë”.