Kreu i organizatës së veteranëve të luftës së UÇK-së, Faton Klinaku ka kërkuar nga autoritetet shqiptare që të mos ekstradojnë askënd në Gjykatën Speciale në Hagë, duke përfshirë këtu edhe ish-luftëtarin e UÇK-së, Dritan Goxhaj.

“Meqenëse Institucionet e Republikës së Kosovës janë të gjora përballë gjykatës politike speciale në Hagë, është e rëndësishme që Shqipëria si shtet sovran të mos ekstradojë askënd, e me këtë rast as z.Dritan Goxhaj, sepse akuzat e kësaj gjykate janë kryekëput politike,” ka shkruar Klinaku në një postim në rrjetet sociale.

“Siç e kemi të njohur, Dritan Goxhaj ka dhënë intervista në gazeta e televizione të ndryshme dhe mund të ketë nxjerrë ndonjë emër që është dëshmitar aty, por bazuar në praktikën e asaj Gjykate, intervistat e tij do të ballafaqohen e përdoren kundër të akuzuarve në Hagë,” ka shtuar ai.

Ditën e sotme Dritan Goxhaj, i cili u arrestua disa javë më parë në Tiranë me urdhër të Gjykatës Speciale, doli në Gjykatën e Apelit ku është lënë në fuqi masa “arrest me burg”.

Po ashtu para dyerve të Ministrisë së Drejtësisë në Tiranë u mbajt përsëri një protestë ku kërkohej që Goxhaj të mos ekstradohej.