Aksidentet e automobilistike në vendin tonë fatkeqësisht kanë pasur një trend rritjeje.
Shkaku është i vështirë për t’u përcaktuar pasi ka shumë arsye, duke nisur nga niveli i sigurisë që kanë rrugët tona, por mund të themi se një pjesë e madhe e drejtuesve të mjeteve nuk njohin sinjalistikën rrugore apo rregullat e qarkullimit rrugor, në mos më keq nuk i zbatojnë ato.
Për të vërtetuar këtë e nisëm vëzhgimin tonë në Unazën e Madhe Lindore në Farkë që të çon te mbikalimi i TEG-ut, një aks problematik, aty ku ndodhi edhe aksidenti i rëndë, ku për pasojë humbën jetën tre të rinj.
Ajo që konstatuam ishte se edhe pse pas aksidentit tragjik të 9 marsit, drejtuesit e automjeteve nuk ndërgjegjësohen.
Fillimisht dislokohemi në unazën lindore për të vëzhguar nga afër, kur për pak minuta një makinë luksoze tip “Maserati” kalon me shpejtësi skëterrë tej normave të lejuara.
Shërbimet e policisë rrugore menjëherë ndjekin nga pas mjetin luksoz dhe arrijnë ta ndalojnë pas pak minutash ndjekjeje.
Siç duket edhe nga pamjet shpejtësia e mjetit është tej normave të lejuara, madje bën edhe manovra gjatë lëvizjes deri në momentin që ndalohet nga policia.
Drejtuesi i “Maseratit” gjobitet për “mosrregullim shpejtësie”, i pezullohet leja e drejtimit, si dhe i bllokohet automjeti pasi ishte debitor edhe me disa masa të marra më parë.
Automjeti u dërgua në komisariatin e policisë rrugore në Tiranë në pikën e bllokimit.
Më pas vëzhgimi ynë do të vijojë në rrugët në brendësi të kryeqytetit. Zhvendosemi në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku shërbimet e policisë rrugore konstatojnë një automjet që kalon rrugën tek semafori ka ndezur dritën e kuqe duke rrezikuar përplasjen me mjetet e tjera.
Pas disa metrash në ndjekje me makinë civile, efektivët e policisë rrugore arrijnë ta ndalojnë dhe të marrin masat administrative ndaj drejtuesit të mjetit.
Më pas shkojmë në rrugën e Kavajës, aty ku ndeshemi më një sërë shkeljesh nga drejtuesit e mjeteve.
Kontrolle bëhen edhe për autobusët urbanë si dhe ndaj mjeteve te tonazhit të rëndë. Testohen për alkool drejtuesit e autobusëve, por nuk konstatohet asnjë rast i konsumimit të alkoolit.
Një autobus gjobitet nga policia dhe i bllokohet leja e qarkullimit pasi autobusi nuk ka bere kontrollin teknik, kolaudimin. Gjithashtu bëhen kontrolle edhe për gjendjen e gomave të autobusëve apo mjeteve të tonazhit të rëndë. /BW