Një nga momentet më të rëndësishme në emisionin “Shihemi në Gjyq” është votimi i publikut.
Situata mes bashkëshortëve Bedrie e Marjeta që kanë ardhur në rubrikën e “E diela shqiptare” në Tv Klan për shkak se rrezikojnë të mbeten pa shtëpi për shkak të një kredie, hasi në një gjuhë të pahijshme.
Bedriu, i cili akuzon bashkëshorten për këtë kredi që ajo pranoi të ndihmonte të afërmin e saj duke lënë si garanci shtëpinë e tyre, e ofendoi duke përdorur fjalë të rënda për një bashkëshorte. Të bindur se publiku do të përkrahte Marjetën për shkak të sjelljes së bashkëshortit, Ardit Gjebrea dhe Eni Çobani pritën me siguri animin e peshores.
Por publiku i habiti të dy jo pak sepse i dha të drejtë Bedriut, duke shkaktuar revoltimin e moderatorit, i cili u largua nga salla.
Eni Çobani: Jemi pak të befasuar nga votimi sepse duke parë një burrë kaq agresiv…
Ardit Gjebrea: Do doja ta vazhdoje vetë seancën e ndërmjetësimit sepse me këtë votim unë nuk mund të qëndroj këtu. Vazhdoje vetë seancën e ndërmjetësimit, e kam në shenjë proteste ndaj publikut.
Siç sqaron më tej Eni Çobani, sigurisht që publiku është i pacenueshëm në vendimin e tij, por pritshmëria e tyre qëndronte në solidarizimin ndaj Marjetës, teksa publiku u përqendrua në problematikën e ngjarjes.