Gjykata e Posaçme vendosi para disa ditësh masat “arrest me burg” për Safet Gjicin dhe Alma Kaçi në arrest shtëpie.

Ish-kryebashkiaku tha në seancë se nuk kishte shkelur ligjin. “Unë u ndëshkova për veprimin që kam bërë, unë e mora dënimin për gabimin që kam bërë. Nuk ka projekt për qentë, nuk kemi parë asnjë projekt, nuk kam shkelur ligjin. Rashë në kurthin e atyre që nuk më duan, nuk kam kryer shkelje ligjore”, tha Safet Gjici.

Hetimet për Safet Gjicin dhe Alma Kaçin nisën disa ditë më parë pas publikimit në rrjetet sociale të një video me përmbajtje erotike, ku ish-kryebashkiaku kryente marrëdhënie intime me 40-vjeçaren.

Mbi bazën e përmbajtjes së kësaj video të incizuar nga një kamera të vendosur në një termus kafeje të Alma Kaçit, SPAK ka çmuar se ish-kryebashkiaku ka konsumuar veprën penale të “korrupsionit pasiv i të zgjedhurve vendorë” ndërsa 40-vjeçarja “korrupsion aktiv i të zgjedhurve vendorë”.

Mësohet se Prokuroria e Posaçme po kryen veprime hetimore nëse ka persona të tjerë që kanë bashkëpunuar me Alma Kaçin për të realizuar videon me qëllim shantazhimin e ish-kryebashkiakut.

Ky i fundit ka ankimuar masën e arrestit në burg në gjykatën e Apelit me argumentin se nuk ka kryer asnjë shkelje të ligjit. Sipas Safet Gjicit tenderi që flitet në video nuk është shpallur asnjëherë nga bashkia e Kukësit.

Ndërkaq Kaçi në dëshminë përballë Gjykatës së Posaçme, tha se “nuk ka bashkëpunuar me asnjë person për të realizuar videon”. SPAK po kryen veprime hetimore për të parë nëse ka persona të tjerë që kanë ndihmuar Alma Kaçin për të realizuar videon me qëllim shantazhimin e ish-kryebashkiakut.

Hetuesit pritet të marrin sërish në pyetje 40-vjeçaren për të cilën ka dyshime se nuk po tregohet e sinqertë mbi këtë ngjarje.