Spekulimi me videon personale të një vajze dhe identifikimi i saj si një “e dashur kriminelësh”, që është zbuluar nga telefonat e sekuestruar të SPAK, është një fenomen i shëmtuar, i cili godet dhe jetën private të një vajze nga një anë dhe autoritetin e SPAK nga ana tjetër.
Pikësëpari kultura e shantazhit publik me video erotike në Shqipëri, po merr përmasa të papërgjegjshme, dhe legjislacioni shqiptar në këtë pikë është ende i paplotësuar, pasi është një fenomen i ri i botës digjitale. Kemi dhjetëra raste që çojnë në vetëvrasje dhe presione psikologjike mbi adoleshentë, por dhe gra e vajza të rritura të cilave u shfrytëzohen momente intime për t’i skllavëruar ose shantazhuar. Legjislacioni ynë duhet të jetë i rreptë dhe shumë pro aktiv në favor të viktimave në këtë rast, duke bërë shembuj me dënime maksimale për shantazhuesit.
Shantazhi me videot personale, në kushtet e një shoqërie ende të frustruar nga ekspozimi i jetës personale siç është Shqipëria, është gati si shantazh për dënim me vdekje. Dhe duhet dënuar si i tillë.
Dhe këtu duhet të dënohen dhe ata që e shpërndajnë por dhe mediat e regjistruara që e transmetojnë pa censurë dhe zbulojnë identitete.
Rasti i fundit ku përflitet një moderatore me emër, është dhe më skandaloz, pasi jo vetëm që sulmohet jeta personal e dikujt, por kjo i faturohet dhe SPAK.
Në këtë rast SPAK ka bërë kujdes përmes gazetarëve që bashkëpunojnë me të, të hedhë poshtë mundësinë që ajo video u përket provave të tyre dhe kjo duket qartë.
Mund të jemi para një rasti për të zhvlerësuar dhe autoritetin e SPAK.
Por ama SPAK nga ana tjetër duhet të bëjë diferencën me traditën e shëmtuar të dekonspirimit të dosjeve nga prokuroria shqiptare.