Nga viti 2015 deri më 2022, bizneset dhe buxheti i shtetit kanë paguar një faturë të lartë për koncesionin e skanimit në dogana, ku ndër funksionet më të rëndësishme ishte zbulimi i kontrabandës.

Por tani kur kanë kaluar më shumë se 7 vite nga zbatimi i kontratës shihet se kompania koncesionare ka përfituar rreth 105 milionë euro pagesa nga buxheti, teksa nga krahu tjetër shkeljet e zbuluara janë vetëm 136 mijë euro ose 0.1% e vlerës së kontratës.

Në një auditim të posaçëm për eficencën e koncesionit të skanimit që menaxhohet S2 Albania, Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) gjeti se nga viti 2015 deri në fund të vitit 2022 buxheti i shtetit ka evidentuar se vlera e shkeljeve të zbuluara nga skanimi (shiko tabelat e mëposhtme) janë vetëm 14 milionë lekë ose 136 mijë euro.

Të dhënat e tjera nga Ministria e Financave, të përpunuara nga Monitor dhe të përmendura dhe në raportin e KLSH_së bëjnë të ditur se buxheti i shtetit e ka paguar koncesionarin për periudhën 2015-2022 me 11 miliardë lekë, apo rreth 105 milionë euro. (shiko grafikun në fund).

Kontrata Koncesionare “Financimi, ngritja dhe operimi i shërbimit të skanimit të kontejnerëve e automjeteve të tjera ne RSH” është një projekt koncesionar fillimisht i miratuar me vetëfinancim dhe më vonë i ristrukturuar me mbështetje buxhetore është realizuar nga Ministria e Financave dhe e Ekonomisë në cilësinë e Autoritetit Kontraktues dhe shoqërisë koncesionare me një kohëzgjatje prej 15 vitesh.

Objekti i këtij projekti është shmangia e nën raportimeve të deklaratave doganore për efekt të keq klasifikimeve të kodeve, të mallrave, për marrjen e detyrimeve doganore ekzaktësisht për produkte që zhdoganohen, por gjithashtu përforcimin e sigurisë kombëtare, sigurimin e kufijve nga parandalimi i kontrabandës, kryesisht të produkteve të akcizës, të lëndëve narkotike, të produkteve të dëmshme, të armëve, të municioneve, etj, vë në dukje KLSH.

Kjo kontratë koncesioni është miratuar fillimisht në prill 2013, dhe është ndryshuar më pas me ligji në shtator 2015 për shkak të kundërshtimeve nga bizneset lidhur me tarifat e aplikuara të skanimit për deklaratat doganore, ku fillimisht ishin përcaktuar në 39 Euro dhe pas rishikimit të termave kontraktual, tarifa e skanimit është përcaktuar në 5 Euro për deklaratat doganore nën 000 Euro dhe 22 Euro për deklaratat doganore mbi 1000 Euro

Ballafaqimi i të dhënave nga Kontrolli i Lartë i shtetit tregon se koncesioni i skanimit nuk rezultoi efektiv sa i për objektivit primar të tij, zbulimin e kontrabandës dhe për rrjedhojë edhe rritjen e arkëtimeve nga dogana në buxhetin e shtetit.

Përveç pagesave direkte, kostot e koncesionit të skanimit janë edhe më të larta, pasi qeveria paguan koordinatorë, menaxherë dhe auditues në emër të shtetit për të monitoruar kontratën, detyra që nuk janë përmbushur sipas KLSH-së.

Koncesioni i skanimit për të 15 vitet llogarit të ardhurat mbi 260 milionë euro.

Në përfundim të vitit të 15 të kësaj kontrate, autoriteti kontraktor do t’i kalohet në pronësi sistemi i skanerëve si dhe të tjera pajisje dhe software qe lidhen me shërbimin e skanimit te kontejnerëve te vendosura.

KLSH vëren se, raportet e shoqërisë koncesionare dhe DPD nuk paraqesin informacion mbi “gjetjet e skanerit”.

“Nuk janë kryer raporte përmbledhëse nga degët doganore të pajisura me skaner për vlerësimin e efektshmërisë së vazhdueshme të funksionit të analizës së imazheve të “R. S.”, përfshirë numrin e skanimeve te kryera për çdo vendndodhje skaneri; origjinën e kërkesës referuese, p.sh: profili i riskut ne Asycuda, përzgjedhje vendore, institucion tjetër; numrin e anomalive te evidentuara (me kodin e kuq dhe te verdhe); rezultatin e kontrolleve te kryera” thuhet në gjetjet e KLSH-së.

Përditësimet e software të përcaktuara në kontratë janë vetëdeklaruar të realizuara nga koncesionari, por autoriteti doganor nuk ka kryer asnjë analizë të tyre, dhe Menaxheri i Projektit pranë DPD nuk disponon njohuritë e duhura teknike për vlerësimin e tyre, evidentohet në raport.

Nga auditimi u konstatua se referuar procedurave aktuale, nuk ekziston asnjë mundësi që të identifikohen gabime të skanerit, në kushtet kur nuk kryhet një verifikim vërtetësisë së tij, pasi kontrolle fiziket nga Autoriteti Doganor kryhen vetëm në skanimet e dyshuara për pasaktësi (të verdha dhe të kuqe).

Në Raportin Vjetor të dorëzuar drejt MFE për ecurinë e zbatimit të kontratës koncesionare, konstatohet se nuk bëhet një ndarje mes rasteve të kapura të paligjshme nga kontrolli fizik pasi rezultati i skanimit të ketë dalë i dyshimtë (i verdhë ose i kuq) dhe rasteve të kapura nga kontrolli fizik i iniciuar nga palë të treta (institucione ligjzbatuese) pas dyshimeve të tyre edhe pse imazhi i skanimit mund të jetë identifikuar si i rregullt nga analiza e imazhit.

KLSH ka verifikuar mungesë sigurie në kryqëzimin e të dhënave lidhur me numrin e skanimeve dhe rezultateve të tyre si dhe informacione të përcjella me vonesë, të cilat potencialisht mund të rrezikojnë përmbushjen e qëllimit të ofrimit të shërbimit të skanimit, duke qenë se nuk kanë krijuar mundësinë për kryerjen e monitorimeve të nevojshme nga ana e Sektorit të Monitorimit në DPD, për të rekomanduar sipas rastit edhe kontrollin e mëtejshëm fizik të mjetit të skanuar, pavarësisht klasifikimit të imazhit nga analisti i imazhit.