Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka falënderuar artisten shqiptare me famë botërore Dua Lipa, përmes një postimi në llogarinë e saj zyrtare në Instagram.
“Faleminderit Dua Lipa që po i bashkohesh thirrjeve tona kolektive për t’i dhënë qytetarëve tanë liberalizimin e vizave të vonuar prej kohësh”, ishin fjalët me të cilat Osmani, iu drejtua artistes, të cilat as vet Lipa, nuk ka hezituar t’i ndajë me fansat në rrjetet e saj sociale.
Gjatë një konference për media të mbajtur të enjten e katër gushtit Lipa, foli për liberalizimin e vizave, që këtë vit është edhe motoja e festivalit – #SETMEFREE, për një #Kosovë Pa Viza.
“Mendoj që kemi shumë mundësi që mund të zgjerohemi në botë, shpresoj që të kemi liberalizimi të vizave dhe të depërtojmë në Evropë dhe me promovimin e festivalit të sjellim këtë energji pozitive dhe historinë e bukur të vendit tonë dhe të kemi mundësinë ta bëjmë këtë sa më shpejt”, ka thënë ajo.
Ndër të tjera edhe posterët e festivalit, mbajnë parulla si “Më lërë të lirë”, “Njëmbëdhjetë vjet në një proces të bllokuar integrimi, ne jemi të vetmit që nuk mund të kalojmë kufijtë pa vizë. Por ndërsa BE-ja vendos kufijtë rreth lirisë sonë, ne do të mbajmë imagjinatën tonë gjallë për t’u çliruar”.
Rikujtojmë se këngëtari kolumbian, J Balvin, DJ Diplo dhe reperi Skepta, do të jenë disa nga emrat e njohur ndërkombtarisht që do të përkujdesen për argëtimin e fansave, gjatë ditëve në vijim.
Rikujtojmë që “Sunny Hill Festival” ka filluar më 4 gusht do të vazhdoj deri të dielën.