Autoritetet greke kanë mundur të zbardhin vrasjen e Ari Papës, i cili u ekzekutua në Athinë në maj të vitit 2021. Mediat vendase raportojnë se policia ka vënë në pranga një taksist shqiptar, i skeduar me katër emra dhe tre mbiemra si edhe një shtetas grek që punonte në lokal.

Autoritetet greke kanë identifikuar dhe vënë në pranga taksistin shqiptar dhe bashkëpunëtorin grek ndërsa kanë shpallur në kërkim edhe ekzekutorin nga Tirana.

Shkak i vrasjes janë përplasjet për trafikun e drogës dhe se taksisti shqiptar mendonte se Ari Papa ishte spiun i policisë greke.

Taksisti shqiptar kishte marrë përsipër planifikimin dhe koordinimin e arratisjes së autorit nga vendi i krimit.

Siç raportojnë mediat, së bashku me bashkëpunëtorin grek, shqiptari ka ndihmuar ekzekutorin me mjete transporti gjatë afrimit dhe më pas arratisjes me shpejtësi nga vendi i krimit.

Pas vrasjes është kujdesur për të fshehur armën e krimit. Ari Papa u vra në 30 maj 2021 në një lokal në Sepolia të Athinës. Papa i ka shpëtuar 3 atentateve ndërkohë që ishte në një grup kriminal në Greqi për trafik droge dhe vrasje. Ari Kosta Papa njihej edhe me pseudonimin “Ari vogël”