Bledar Dedja, 39-vjeçari i gjetur i vdekur të dielën e kaluar në një pyll, në via Dei Carpini në Paderno del Grappa,Itali, me sa duket ka pasur një marrëdhënie jashtëmartesore me një grua që e ka njohur rreth dy vjet më parë në një aplikacion për takime online.

Mediat italiane shkruajnë se ajo është një grua 30-vjeçare shqiptare, e martuar gjithashtu me një burrë shqiptar. Gruaja tashmë është intervistuar nga hetuesit.

Hetuesit kanë arritur tek e reja duke analizuar telefonin e viktimës, veçanërisht mesazhet. Gjatë marrjes në pyetje ajo vetë pranoi se e kishte takuar 39-vjeçarin nja dy vite më parë, një miqësi e lindur në mjedisin virtual të një aplikacioni në internet dhe ndoshta duke u bërë diçka më shumë me kalimin e kohës.

Bledari, i cili ishte i martuar dhe kishte dy vajza, do të kishte pasur një jetë të dytë për të cilën  kishte mbajtur me kujdes bashkëshorten në errësirë.

Një ndër pistat që po hetohet është që Dedja të ketë qenë i shoqëruar edhe nga dikush tjetër në momentin që është goditur me thikë pas shpine.

Në atë datë të fundit, 39-vjeçari dhe personi që ai shoqëronte mund të mos kenë qenë vetëm. I befasuar, burri u përpoq t’i shpëtonte sulmuesit, i cili megjithatë e kapi menjëherë dhe e goditi me thikë pas shpine.