Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka dënuar me burgim të përjetshëm Xhuliano Hoxhën, të akuzuar për vrasjen e Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt, në korrik të vitit 2020 në Elbasan.
Po ashtu, ndaj bashkëpunëtorit të tij, Eugen Halilit, GJKKO ka vendosur të japë masën e dënimit me 17 vite heqje lirie pasi pranoi të bashkëpunonte me drejtësinë.
Hoxha dhe Halili vranë Emiljano Ramazanin në 20 korrik dhe Regis Runajt në 29 korrik të 2020-ës, ngjarje që tronditën Elbasanin.
Sipas hetimeve të SPAK në rastin e vrasjes së Rigels Runaj, Hoxha dhe Euglen Halili qëlluan me thikë për vdekje të riun pranë varrezave të Elbasanit. Ndërsa në vrasjen e Emiljano Ramazanit, të dy e kanë ndjekur për një kohë të gjatë, duke i dhënë informacionet personave të tjerë.
Po nga hetimet rezulton se dy të rinjtë, Xhuljano Hoxha dhe Euglen Halili, këto ngjarje i kanë kryer kundrejt pagesës.