Detaje të reja janë zbardhur nga atentati i Gentja Bejtjas, i cili u ekzekutua pasditen e 15 marsit brenda oborrit të banesës së Larushk. Hetimet rreth ekzekutimit të Bejtjas vijojnë dhe disa persona janë marrë në pyetje për të hedhur dritë mbi ngjarjen. Por dëshmia më me interes për grupin hetues në lidhje me atentatin, është ajo e një shtetasi të huaj me banim në Shqipëri, i cili gjatë orës ku ndodhi krimi, ka mundur të shikojë persona të dyshimtë të maskuar në rrugë.

“Gjatë fazës së hetimeve, janë administruar dëshmi të familjarëve të viktimës si edhe të dëshmitarëve okularë. Ndër të cilët edhe shtetasi J. L, lindur në Jordani dhe banues në Tiranë i cili ndër të tjera ka deklaruar se: ‘Më datë 15 Mars 2024, rreth orës 16:30, ka qenë duke udhëtuar nga ura e Gjoles në drejtim të fabrikës së ‘Çimentos’ Fushë-Krujë duke ndjekur itinerarin: Ura e Gjoles-North Park më pas rrugën dytësore përmes fshatit Hasan që të nxjerr tek karburant ‘K…..’ në aksin kryesor Fushë Krujë-Thumanë”,- thuhet në dosjen e siguruar nga emisioni “Në Shënjestër”.

Ai thotë se ka parë të ndaluar në rrugë, dy makina. Midis tyre edhe një ‘Golf’ të zi, ku ajo që dallohej ishte se ky automjet nuk kishte targa në pjesën e pasme të tij. Ndërkohë që në këmbë pranë mjeteve, midis tyre edhe një motor katër rrotësh, qëndronin tre persona me kapuç të zi në kokë. Ndërsa dy të tjerë ndodheshin në mjetin ‘Golf’ të zi. Dëshmitari tregoi se në këmbë përpara këtyre mjeteve qëndronin edhe tre persona, të cilët ishin të mbathur me veshje jo normale për përditshmërinë. Gjë që atij i bëri përshtypje dhe i dha mundësinë ti dokumentojë si imazhe. Një skenë që për të dukej më shumë si një skenë xhirimi filmi, se sa një mendim se këta njerëz ishin këtu si personazhe të një ngjarje kriminale që kishte ndodhur vetëm pak minuta më herët, jo shumë larg vendit ku ai i pa. Ai tregon se pavarësish se lëvizi nga aty, frika e shoqëroi edhe më pas. Pasi në një moment mjeti tip ‘Golf’ I zi, iu vu nga pas. Ose ashtu ai pati ndjesinë në atë moment, se po e ndiqnin.

DËSHMIA

Sapo kalova kryqëzimin e rrugës dytësore, në rrugën që të nxjerr te karburant ‘K….’, përpara automjetit tim unë pashë dy motorë katër rrotësh, një automjet ‘Golf’ të zi, model 5 ose 6 tip i ri, pa targa në pjesën e pasme si dhe një automjet tjetěr me ngjyrë gri, që targën nuk ia fiksova dot. Ajo që konstatova më tej është se në afërsi të këtyre automjeteve dhe motorëve ndodheshin tre persona që qëndronin në këmbë. Ndërsa dy të tjerë, shoferi dhe pasagjeri i përparmë, ndodheshin në mjetin tip ‘Golf’ të zi. Ajo që munda të dalloj me tej është se të tre personat që qëndronin në këmbë në rrugë pranë motorëve, kishin kapuçin e xhupave në kokë dhe nuk i kanë hequr për asnjë moment. Dhe ata po qëndronin pothuaj ngjitur me mjetin tip ‘Golf’ dhe po flisnin me njëri tjetrin. Në këtë situatë unë u ndjeva i frikësuar dhe vendosa t’i kaloj anash mjeteve të dyshimta që kishin ndalur në rrugë. Por vetëm pasi lëviza rreth 100 metra, para se të dilja në rrugën kryesore, unë vura re pas meje mjetin tip ‘Golf’ të Zi, që po ma bënte me drita. Dhe që po kërkonte ti hapja rrugën dhe të kaloja përpara. Kjo ishte hera e fundit që e pashë mjetin ‘Golf’ të zi. Pasi ndërsa më parakaloi, ky mjet shtoi shpejtësinë deri në kryqëzimin e aksit kryesor rrugor Fushë Krujë-Laç dhe më pas u kthye djathtas në drejtim të Fushë-Krujës.