Kryeministri Edi Rama ka folur për herë të parë për tragjedinë e ndodhur dy ditë më parë në vend, vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani nga bashkëmoshatari i tij. Në një deklaratë për mediat, menjëherë pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Rama prezantoi dy opsionet që janë menduar për parandalimin e ngjarjeve të tilla. Sipas tij, po mendohet ose vendosja e filtrave në rrjetet sociale, ose mbyllja totale e aplikacioneve “Snapchat” dhe “TikTok”. Por për të marrë këtë vendim, kreu i qeverisë tha se do ta diskutojë me komunitetin e prindërve dhe të shkollave.

“Para dy ditësh i madh dhe i vogël është tronditur nga vrasja e një 14-vjeçari. Përpjekjet tona nga rritja e fëmijëve sfidohen nga rrjetet sociale. Nuk janë të thjeshta përgjigjet e duhura për këto çështje. Janë ndërmarrë iniciativa të ngjashme për ndalimin e llogarive online në rrjetet sociale. Dilema jonë si qeveri është nëse duhet të ecim dhe ne në drejtimin e vendosjes së filtrave, apo të ndërmarrim një masë drastike për mbylljen e TikTok dhe Snapchat në Republikë. Kemi vendosur që këtë dilemë ta vendosim për diskutim në të gjithë komunitetin e prindërve. Vendosja e punonjësve të sigurisë dhe psikologëve në shkolla ka sjellë rezultate pozitive. Prindërit do të mund të shohin gjithçka ndodh me fëmijët dhe procesin e mësimdhënies. Dua të nënvizoj se tragjedia e nxënësit është shumë e madhe për t’u futur në perimetrin e ngushtë të sherrit të një pseudoelite politike dhe mediatike. Kjo tragjedi duhet të na bashkojë si prindër dhe qytetarë për të kuptuar se secili prej nesh duhet të marrë më shumë përgjegjësi që nis brenda mureve të shtëpisë, brenda mureve të shkollës dhe përfshirë ekranet e TV, ku ata që derdhin lot krokodiili janë lëvrues të gjuhës së dhunës, madje dhe nxitës. I siguroj të gjithë prindërit se personalisht të bëjmë të gjitha gjërat e mundura për të lehtësuar fëmijët nga presioni i hatashëm i rrejteve sociale. Pres rezultatet e konsultimit me komunitetin e prindërve. Nga të gjitha hulumtimet tona, Snapchat dhe TikTok janë burime të nxitjes së dhunës dhe akteve të bullizmit dhe tragjedisë nga e cila duhet të dalim me një përgjigje sa më efektive,”-tha Rama ndër të tjera në fjalën e tij.

Ngjarja e rëndë që tronditi vendin ka ndodhur dy ditë më parë. Të rinjtë ishin konfliktuar gjatë pushimit të gjatë, por ishin ndarë nga roja i shkollës dhe mësuesit. Disa orë më pas, rreth orës 13.00, kur edhe kishin përfunduar mësimin, u ritakuan në oborr. Viktima, Cani kishte kërkuar ndihmë nga shoku i tij, Luis Meçe, i cili nga një shkollë tjetër kishte shkuar tek “Fan Noli”. Kështu mes të treve nisi një konflikt që përfundoi me përdorimin e thikës. Tashmë, për ngjarjen, nesër në orën 11.00 është parashikuar një protestë që do të nisë nga shkolla “Fan Noli” dhe do të përfundojë tek Ministria e Arsimit.