Gjykata e Shkodrës ka vlerësuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 34-vjeçarin Lekë Vuksani, i cili është autori i vrasjes së 51-vjeçarit Petrit Vuksani ngjarje e ndodhur më 2 Maj 2023 në lagjen Skëndërbeg në Shkodër.
Në seancën e vlerësimit të masës së sigurisë, 34-vjeçari nuk ka folur, por ka preferuar të flasë avokati i tij mbrojtës.
Avokati, Vladimir Ladaj ka kërkuar nga gjykata vlerësimin psikologjik të 34-vjeçarit dhe caktimit të masës së sigurisë “arrest me burg me afat”.
Kërkesa e mbrojtjes është refuzuar nga gjykata, e cila ka miratuar kërkesën e prokurorit të çështjes Vat Stakaj, caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për veprën penale vrasje me paramendim.
Sjellim në vëmendje se qiraxhiu Lekë Vuksani vrau me armë zjarri pronarin e shtëpisë, Petrit Vuksani. Menjëherë pas ngjarjes, ai u arratis dhe u zhduk për 21 orë.
Debatet mes Petrit Vuksanit dhe Lekë Vuksanit kishin nisur që prej 1 muaji, kohë kur 51-vjeçari ishte kthyer nga Anglia. Kështu mësohet të jetë shprehur para hetuesve, autori i vrasjes që tronditi dy ditë më parë Shkodrën.