Të tjera detaje dalin në dritë në lidhje me atentatin që iu bë Iljaz Calit mbrëmë në rrugën dytësore në autostradën Tiranë-Durrës. Për pasojë, 37-vjeçari humbi jetën në vendin e ngjarjes pak para mesnate. Mësohet se ndaj makinës së viktimës është qëlluar rreth 100 metra në lëvizje, ndërsa automjeti tip “Land Rover”, i drejtuar prej Calit është përplasur me bordurën e rrugës, dhe ka vijuar të lëvizë pakontrolluar për disa metra.
Si fillim policia mendoi se kishte të bënte me një aksident, ndërkohë pas këqyrjes së vendit të ngjarjes ku u gjetën edhe gëzhoja plumbash, u konstatua se kishin të bënin me një vrasje. Viktima, ishte duke udhëtuar nga Tirana drejt banesës së tij në fshatin Rinas i Ri. Po ashtu pati dyshime se në automjet ka pasur edhe një person tjetër, pasi e pasagjerit u gjet e hapur. Por më pas rezultoi se viktima udhëtonte i vetëm, ndërsa në mjet nuk u gjet asnjë send i paligjshëm. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua telefoni celular i viktimës, për të zbardhur më tej detaje të mundshme rreth ngjarjes, nëse kemi të bëjmë me një pritë, apo ndonjë konflikt të pazbardhur. Nga këqyrja e mjetit, ai ka pasur dëmtime në anën e djathtë të tij, si dhe në xhamin e përparmë.
Duke u ndalur te autorët e ngjarjes, mendohet se ata kanë qenë duke lëvizur me një automjet prej të cilit dyshohet se edhe kanë qëlluar teksa kanë qenë në lëvizje.
Policia ka shoqëruar disa persona në cilësinë e personave që mund të kenë dijeni për ngjarjen, familjarë apo dhe shokë të viktimës. Ndërsa si pistë kryesore ku policia po heton rreth ngjarjes është ajo e fushës së drogës, duke marrë parasysh edhe faktin se viktima rezulton me precedentë penal në fushën e lëndëve narkotike.