Policia e Tiranës njoftoi mbrëmjen e sotme arrestimin e Valter Bamit, në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e 4 qershorit në Larushkë të Fushë Krujës, ku mbeti i vrarë Ramazan Sino dhe u plagosën dy fëmijët e Gentjan Bejtjas.

Policia thotë se arrestimi i tij erdhi pas ekspertimi kimik, nga ku ka rezultuar se në dorën e majtë të 37-vjeçarit Bami, janë konstatuar faktorë plotësues të qitjes me armë zjarri. 37-vjeçari Valter Bami është vëllai i Durim Bamit, një emër i njohur nga drejtësia.

“Në vijim të veprimeve hetimore në lidhje me ngjarjen e datës 03.07.2023, ku në fshatin Larushkë, Krujë, në oborrin e banesës së shtetasit Gentjan Bejtjas, është qëlluar me armë zjarri e si pasojë ka humbur jetën shtetasi Ramazan Sino. Rreth orës 04:00 të po kësaj date, është shoqëruar shtetasi Valter Bami, 37 vjeç, të cilit i janë marrë faktorët plotësues dhe deklarim në lidhje me ngjarjen e mësipërme e më pas është lënë i lirë, ju informojmë se: Sot me datë 06.07.2023, bazuar në përgjigjen e aktit të ekspertimit kimik, ka rezultuar se në dorën e majtë të shtetasit Valter Bami, janë konstatuar faktorë plotësues të qitjes me armë zjarri”.

“Mbi bazën e këtij akti ekspertimi, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka lëshuar sot më datë 06.07.2023, urdhrin e ndalimit për këtë shtetas për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278 i Kodit Penal. Po sot, rreth orës 20:30, në fshatin Greps, Nikël, është lokalizuar, kapur dhe shoqëruar në ambientet e DVP Tiranë shtetasi Valter Bami, 37 vjeç, banues në Nikël, Fushë Krujë. Ndërkohë vazhdojnë intensivisht hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes së mësipërme”, thuhet në njoftimin e policisë së Tiranës.