Policia e Shkodrës ka kapur dhe ka arrestuar autorin e vrasjes së 51 vjeçarit ditën e djeshme në qytetin e Shkodrës.

“Blutë” në bashkëpunim me Forcat Speciale RENEA, ka bërë të mundur vënien në pranga të 34-vjeçarit pas  21 orësh kërkime dhe ndjekje.

Sipas policisë, autori Lekë Vuksani është kushëriri i viktimës, Petrit Vuksani, kishte jetuar me qira në banesën e 51 vjeçarit dhe duket se viktima e ka nxjerrë nga shtëpia për shkak të mospagimit të qirave.

51 vjeçari kishte një muaj që ishte kthyer nga Anglia, dhe në momentin e ngjarjes ai ka qenë i vetëm në banesën e tij.

Mes viktimës dhe autorit dyshohet se ka pasur një përleshje fizike dhe më pas autori është larguar dhe ka marrë armën tip automatik, ku ka qëlluar për vdekje 51-vjeçarin.

Autori pas ngjarjes është arritur të pikaset me dron, por fillimisht ka arritur të shmanget, duke arrestuar 21 orë më pas.

Thuhet se autori ka pasur precedentë penalë, si grindje apo debate, por vepra të rënda penale, policia ka gjetur dhe sekuestruar armën e zjarrit.

Njoftimi i policisë:

Pas 21 orësh kërkime dhe ndjekje, Policia e Shkodrës, në bashkëpunim me Forcën Speciale RENEA, kap dhe vë në pranga autorin e dyshuar të vrasjes së 51-vjeçarit.

Lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga shtetasi L. V., 34 vjeç, banues në Shkodër.

Policia gjen dhe sekuestron armën e zjarrit automatik me të cilën dyshohet se autori kreu krimin.

Ky shtetas dyshohet se rreth orës 12:15, të datës 02.05.2023, në lagjen “Tom Kola”, vrau me armë zjarri automatik, në banesë, shtetasin P. V., 51 vjeç.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.