Gjykata e Apelit i ka ulur dënimin me 5 vite ish-efektivit të policisë Ludjan Zaimi, që vrau kolegun e tij Çaush Saliasi brenda Komisariatit Nr.3 të Policisë së Tiranës.

Konkretisht, Zaimi u dënua nga Apeli me 30 vjet burgim, në një kohë që Gjykata e Shkallës së Parë e kishte dënuar me 35 vite për vrasje me paramendim.

Prokuroria e akuzon Zaimin për veprën penale të “vrasjes me dashje e punonjësit të Policisë së Shtetit, gjatë detyrës ose për shkak të saj”.

Gjatë hetimit, Prokuroria doli në konkluzion se Ludjan Zaimi nuk vuante dhe nuk vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe ka qenë në gjendje të kontrollojë veprimet e tij, pavarësisht se mbrojta ka pretenduar se ai ka probleme të shëndetit mendor.

Ludjan Zaimi ka pretenduar se kolegu i tij Çaush Saliasi, e fyente dhe bullizonte gjatë gjithë kohës. Ai ka pretenduar se kanë pasur vazhdimisht debate me Saliasin për mënyrën se si ai sillej me të.