Në Shkurt të vitit të kaluar, Edi Rama i hipi një avioni të linjës WizzAir në Rinas dhe pak minuta më vonë zbriti në Kukës.

Ky ishte fluturimi i parë në Aeroportin e Kukësit, në të cilin shefi i qeverisë do të jepte lajmin se WizzAir do të lançonte fluturimet për 4 destinacionet e para nga Kukësi nga dy herë në javë, drejt Austrisë, Gjermanisë, Zvicrës dhe Londrës.

“Nga maji do jenë destinacione të vijueshme, jo vetëm për sezonin. Me drejtorin e kompanisë kemi diskutuar edhe për destinacionit tjetër të rëndësishëm, që është Anglia. Nuk i ndahem Kukësit dhe ditës kur kur ‘the London boys’ të kenë fluturime nga Kukësi në Londër, me tarifa simbolike. Udhëtimet me katër destinacione drejt Gjermanisë, Austrisë dhe Zvicrës kanë kosto 19 euro,” tha Rama.

Po atë shefi i qeverisë njoftoi edhe një masë tjetër. Atë se në këmbim të futjes së Kukësit në listën e itinerareve ndërkombëare të fluturimeve, qeveria kishte vendosur të hiqte taksën e kufirit.

“Aeroporti i Tiranës, nga një aeroport jo konkurrues, u bë shumë konkurrues. Me lëvizjen tjetër të radhës, për heqjen e taksës së kufirit nga aeroportet do ketë një tjetër ulje të çmimeve të qytetarëve. Do hapen vendet e punës që të rinjtë të punësohen në këto kompani”, tha Rama.

Taksa u hoq, ashtu sikurse tha Kryeministri. Buxheti i shtetit humbi 20 milionë euro në vit. Ndërsa dy ditë më parë Wizz Air i bëri “naftën” aeroportit të Kukësit. Kompania hungareze njoftoi përfundimin e operacioneve në Kukës duke ndërprerë çdo fluturim nga ky aeroport.