Teksa kanë kaluar mbi 11 muaj nga dhunimi i vajzës keniane Xhoi Ayoko dhe 5 muaj nga vdekja e saj, ende autoritetet shqiptare nuk e kanë zbardhur këtë ngjarje.

Të tjera detaje të reja janë zbardhur se si u fshehën provat, po ashtu ka siguruar informacione rreth vdekjes së Xhoit në Kenia, ku ka shumë hije dyshimi dhe paqartësi se çfarë ndodhi në spitalin Keniata, aty ku Xhoi më 13 shkurt frymoi për herë të fundit.

Dokumentari i plotë nga Igli Çelmeta:

“Zëri i dhimbjes nuk harrohet kurrë. Janë lotët dhe zëri i nënës së 22-vjeçares keniane, Xhoit, që u dhunua brutalisht për vdekje 11 muaj më parë në vendin tonë. Për të disatën herë jam sërish këtu përpara Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit për të rithënë të vërtetën e Xhoit dhe t’u kujtojmë autoriteteve shqiptare, që lënia në  harresë është vrasje për së dyti për Xhoin.”

Zyrtarisht deri më sot nga autoritetet shqiptare nuk kemi asnjë përgjigje për hetimet për çështjen e vajzës keniane, prokuroria ende nuk ka persona të akuzuar dhe çështja po shkon drejt harresës.

Nga 13 gushti i vitit të shkuar kanë kaluar mbi 11 muaj nga dhunimi barbar i Xhoit dhe ende autoritetet shqiptare nuk e kanë zbardhur këtë ngjarje, për më tepër nuk kanë arrestuar asnjë person, ende vrasja e Xhoit nuk ka autor dhe vijon të mbetet mister.

Pse po zvarritet kaq shumë çështja e Xhoit?

A ka prova të mjaftueshme grupi hetimor për të shkuar tek autorët?

Për t’u përgjigjur kësaj pyetje kthehemi pas në kohë dhe shkojmë datën kur ndodhi ngjarja e rëndë, më 13 gusht të vitit 2022. Kjo ngjarje, manipulimin e ka që në gjenezë. Burime të besueshme dhe kofidenciale i thanë Neës24 se sigurimi i provave në vendin e ngjarjes nuk është bërë në mënyrën e duhur dhe profesionale nga policia.

Madje policia ka marrë masa edhe ndaj oficeres e cila ka bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes, duke e larguar nga komisariati nr.1 në Tiranë dhe e kanë transferuar në një pozicion tjetër pune jashtë Tirane. Ngjarja me vajzën keniane është neglizhuar që në këqyrjen e parë të vendngjarjes.

Gjithçka është mbyllur që aty, pasi nuk i është dhënë rëndësi mbledhjes të të gjitha provave të rëndësishme për zbardhjen e ngjarjes. Vendi i krimit është vend i rëndësisë së posaçme për veprimet hetimore të organeve hetuese sepse çdo veprim i pakujdesshëm mund të shkaktojë pasoja të parikuperueshme në këtë stad të procedurës.

Këqyrja e vendit të ngjarjes është veprimi i parë hetimor me anën e të cilit organi procedues fillon të ngrejë themelet e hetimit. Në rastin e Xhoit kjo gjë nuk është bërë dhe e gjithë ngjarja është trajtuar si vetëvrasje, me qëllim për ta mbyllur dhe fshehur. Edhe pse policia e ka referuar në kohë çështjen në Prokurori, kjo e fundit filloi të vepronte vetëm kur ngjarja u bë mediatike, 3 muaj pasi kishte ndodhur incidenti në banesën ku Xhoi rrinte së bashku me bashkëkombësen e saj keniane, Emily Mutua, e cila është e përfshirë në këtë ngjarje, pasi dyshohet se ka fshirë provat.

Emili pas ngjarjes ka hapur telefonat e Xhoit, këtë e vërtetoi edhe shoqja tjetër e Xhoit, Xhoi Brenda, e cila tha se i ka dhënë pasëordin e telefonit të Xhoit, Emilit. Madje Emili në komunikimet që ka pasur me njerëz të afërt të Xhoit dhe miqtë e përbashkët i ka thënë këtyre të fundit edhe emrin e personit që dyshon së vrau Xhoin.

Hetuesit i dinë këto fakte për Emilin dhe mund t’i vërtetojnë duke sekuestruar telefonat e saj dhe të hapin të gjitha bisedat që janë kryer, nëse prokuroria do ta bënte këtë, Emili sot duhej të ishte e arrestuar për dëshmi të rreme, si dhe për pengim të zbulimit së të vërtetës. Por, kur kanë kaluar 11 muaj nga ngjarja, Emili thjesht është marrë në pyetje disa herë nga grupi hetimor dhe mbi të nuk rëndon asnjë akuzë.

Po ashtu Mjekësia Ligjore në Shqipëri nuk ka ende një raport zyrtar për të vërtetuar faktin që Xhoi është dhunuar barbarisht, pra një raport ku sigurohen prova biologjike dhe shkencore, që zbulojnë menjëherë autorët e krimit të dhunimit dhe përdhunimit të Xhoit. Asnjë raport i Institutit të Mjekësisë Ligjore nuk është parë deri më sot për ngjarjen e vajzës keniane, por hetuesit thonë që është sekret hetimor dhe nuk bëhet publike. Pyetja që shtojmë për 11 muaj ky raport nuk mund të lexohet nga prokuroria? Grupi hetimor ka dërguar letërporosi në Kenia prej 2 muajsh, ku kërkon raportin mjeko-ligjor të vdekjes së Xhoit të bërë nga autoritetet keniane, po ashtu kërkon që të merret në pyetje edhe nëna e Xhoit, Ruth Abongo, ku autoritetet shqiptare i kanë nisur një sërë pyetjesh autoriteteve keniane, por ende nëna e Xhoit nuk është thirrur nga autoritetet keniane.

“Këto dokumente të spitalit të Kenias janë një provë e rëndësishme për prokurorinë. Ky raport tregon shkakun e vdekjes së Xhoit, akt-ekspertiza vërteton faktin se dhuna dhe goditjet e forta që i shkaktuan Xhoit, i sollën vdekjen pas 6 muajsh në koma.”

E çuditshme se si po vepron prokuroria shqiptare, edhe pse nëna e Xhoit qëndroi 6 muaj me vajzën në Shqipëri, ajo nuk u mor dhe nuk u pyet asnjëherë me detaje për ngjarjen e vajzës së saj, por prokuroria kujtohet 9 muaj pas ngjarjes dhe 4 muaj pasi Xhoi ndërroi jetë. Madje të vetmen herë që u pyet Ruth Abongo, policia dhe prokuroria i thanë nënës së Xhoit se vajza e saj është vetëvrarë. Që këtu nisi dhe reja e zezë që mbuloi me terr e mister çështjen e Xhoit.

Manipulimi dhe fshehja e provave të ngjarjes së Xhoit është i frikshëm, kjo vërtetohet edhe në faktin se akt-ekspertiza mjeko-ligjore e vajzës është bërë vetëm në letra. Ende nuk ka një raport zyrtar nëse Xhoi është dhunuar dhe përdhunuar. Burime kofidenciale thanë për Neës24 se akt-ekspertiza e parë mjeko-ligjore është bërë pa këqyrur trupin e vajzës. Një skandal i autoriteteve shqiptare, që kanë anashkaluar provën më të rëndësishme për të zbuluar autorët e dhunimit barbar të Xhoit. Në dokumente zyrtare Instituti i Mjekësisë Ligjore thotë se përgjigjet për akt-ekspertizat mjeko-ligjore i jep vetëm për autoritetin kërkues, prokurorinë. Në dokumente del haptazi mosserioziteti dhe manipulimi që është bërë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, sepse prokuroria e ka regjistruar çështjen e Xhoit më 22 shtator, ndërsa në dokument Instituti i Mjekësisë Ligjore thotë që janë bërë dy akt-ekspertime më datë 2 shtator dhe 9 shtator. Pra, si është e mundur, më parë janë bërë akt-ekspertimet dhe më pas është regjistruar çështja në prokurori. Si është e mundur të jenë bërë akt-ekspertime pa u kërkuar nga prokuroria, kur vetë Instituti i Mjekësisë Ligjore thotë në dokument se për marrjen e përgjigjes së akt-ekspertimit duhet t’i drejtohemi prokurorisë sepse ai është organi kërkues i këtij ekspertimi? Pra, akt-ekspertimi i parë i Xhoit është bërë vetëm në letër pa u këqyrur trupi i vajzës dhe të gjitha dëmtimet janë konsideruar si të marra nga vetëhedhja për t’i qëndruar versionit të vetëvrasjes. Grupi hetimor ka kërkuar të bëhet sërish akt ekspertimi i Xhoit dhe edhe sot e kësaj dite ende grupi hetimor nuk ka një përgjigje nëse Xhoi është dhunuar dhe përdhunuar. Kjo tregon qartazi se ky veprim bëhet qëllimisht për të mos zbuluar autorët e vrasjes së Xhoit, pasi nëse është bërë siç duhet akt-ekspertiza e dytë mjeko-ligjore përfitohen prova shkencore dhe biologjike të pakundërshtueshme të autorëve dhe ngjarja zbardhet. Sot pas 11 muajsh nuk ka ende një përgjigje. Policia dhe prokuroria e dinë të vërtetën, i dinë autorët. Por pse nuk po veprojnë? Burime nga organet hetuese thonë se po presin përgjigje të letërporosive nga Kenia.

Po në Kenia, çfarë ndodhi me Xhoi dhe ose nëna e saj vendosi të largohej nga Shqipëria? Misterioze mbetet edhe vdekja e Xhoit në Kenia, shumë hije dyshimi dhe paqartësi ka se çfarë ndodhi në spitalin Keniata, aty ku Xhoi më 13 shkurt frymoi për herë të fundit.

Gazetari kenian Maurice Ndole i medias “Africanavoice” e ka ndjekur dhe ka investiguar nga afër çështjen e Xhoit. Ai shprehet se nëna e Xhoit Ruth Abongo u largua nga Shqipëria sepse kishte frikë.

“Kthimi në Kenia dhe udhëtimi ishte shumë keq për Xhoin. Ata nuk kishin opsione të tjera më të mira. Kenia ishte një spital më i mirë, por një kulturë e rrezikshme korrupsioni. Ata kishin frikë nga diçka. Ruth kishte frikë nga diçka.”, shprehet gazetari kenian.

Gazetari kenian Maurice Ndole jep fakte tronditëse se çfarë ka ndodhur me vdekjen e Xhoit në spitalin në Kenia dhe se këta të fundit refuzojnë të japin informacion.

“Spitali refuzoi të jepte informacion për vdekjen e Xhoit. Ata thanë se mund t’i jepet vetëm familjes. Kam dëgjuar se infermierja refuzoi t’i jepte oksigjen Xhoit gjatë fundjavës, sepse mjeku nuk e kishte urdhëruar. Nëna e saj u lut t’i vendosnin oksigjenin Xhoit, por infermierja nuk pranoi. Nëna e Xhoit mund ta konfirmojë këtë. Por ajo nuk flet. E cila është e kuptueshme, ajo humbi vajzën e saj.”, shprehet gazetari kenian.

Ekziston edhe një video e momenteve të fundit të jetës së Xhoit, ku asaj nuk i vendosin oksigjenin në spital, video të cilën e disponon nëna e Xhoit, por kur e pyesim ajo refuzon të përgjigjet.

“Kam dëgjuar se ka një video të Xhoit në fund të jetës së saj, ku spitali refuzoi t’i jepnin oksigjen. Kam dëgjuar që Ruth e ka marrë atë video. Por ajo refuzon ta ndajë atë video sepse ka frikë nga diçka.”, shprehet gazetari kenian.

“Ka njerëz që e kanë atë video. Është postuar në Facebook dhe është hequr. Shqetësimi im është se qeveria keniane dëshiron të përfundojë me të. Kam dëgjuar se është postuar shkurtimisht në Facebook.”, shprehet gazetari kenian.

Sipas gazetarit kenian qeveria e kenias është e korruptuar dhe spitali nuk u kujdes siç duhet për Xhoin dhe është e paqartë dhe e pakuptimtë nëse infermierja ishte e paaftë apo kishte ndjekur urdhra.

“Spitali kenian nuk u kujdes siç duhet për të. Ajo pothuajse u mbyt për vdekje. Unë nuk e kam atë video. Ka edhe çështje parash. Shumë delikate.”, shprehet gazetari kenian.

“Qeveria e Kenias është shumë e korruptuar. Duhet të jeni të kujdesshëm përndryshe mund t’i shkaktojnë probleme.  Pra, dinamika është shumë e ndërlikuar për t’u kuptuar. Nga sa më kanë thënë Ruth ishte shumë e mërzitur. Ajo iu lut që t’i jepnin oksigjen dhe infermierja nuk pranoi sepse mjeku nuk ishte aty për ta miratuar. Pra, është e paqartë nëse infermierja ishte thjesht një idiote apo kishte ndjekur urdhrat.”, shprehet gazetari kenian.

Siç nisi në Shqipëri plot me mister, kështu u mbyll edhe në Kenia historia e Xhoit. 11 muaj nga ngjarja dhe ende drejtësia nuk ka folur. Fjalët e nënës së Xhoit janë prekëse dhe tregojnë se ajo po vritet dalëngadalë nga drejtësia shqiptare për padrejtësinë që po i bëhet asaj dhe Xhoit.

“Drejtësia për Xhoin do të më japë një kuptim të ri për jetën, nëse jo do të vdes dhe do të takoj vajzën time.”, shprehet nëna e Xhoit.

Edhe sa duhet të presë nëna e Xhoit nga autoritetet shqiptare për drejtësinë e vajzës së saj? Pse autoritetet ligjvënëse ngurrojnë ta thonë fjalën e fundit, zërin e së vërtetës?!/ BW/