Tradita e do që familja të ribashkohet në ditë zie dhe lamtumire, duke gjetur mbështetje tek të tjerët.

Të afërmit mbërrijnë pjesë-pjesë nga Marche, Friuli dhe Lombardia. Ata nxitojnë në rrugët e ngushta të Mianes (Trevizo), duke mbajtur çanta të mbushura plot dhe hyjnë në shtëpinë e prindërve të Anila Grishajt, e cila vdiq e shtypur nga një makineri e drejtuar gabimisht nga një kolege.

Ata përqafojnë nënën, babanë dhe motrën dhe vëllain e 26-vjeçares, pasi janë ende të tronditur. Të dëshpëruar, sepse humbja e një vajze kaq të re dhe kaq të dashur nuk gjen shpjegim.

Mbrëmjen e së martës mamaja e Anilës kishte përgatitur darkën. Kishte peshk, në furrë, dhe po përgatiste tryezën për të mbledhur të gjithë familjen, si gjithmonë.

Ata thjesht prisnin Anilën. Por ajo nuk erdhi në shtëpi, kishte vdekur dhe askush nuk i kishte njoftuar për atë tragjedi.

“Ne ishim të fundit që e morëm vesh, është turp, duhet të ishim të parët”, thotë motra e madhe, e zemëruar dhe me një fytyrë të shënuar nga dhimbja. “Për dy orë nuk na thanë asgjë, e morëm vesh nga faqet e internetit”.

“Duam drejtësi, duhet të na japin shpjegime”, thotë një kushëri, para se të kalojë nga dera dhe të bashkohet me të tjerët.

Pajisja mekanike që e vrau

Ka një të dyshuar për vdekjen e 26-vjeçares shqiptare në firmën “Bocon” ku punonte: ajo është një kolege. Shqiptarja ishte menaxhere e linjës, një punonjëse e vëmendshme dhe një shefe e kujdesshme.

Ajo po monitoronte funksionimin e një makinerie që mbërriti në kompani pesë muaj më parë, një krah mekanik që mbështjell produktet e gatshme me qese për transport.

Pasi makineria përfundoi këtë proces, ajo i është afruar paletës për ta kontrolluar, duke lënë vendin e komandës.

Në atë moment një punonjëse tjetër, duke mos parë askënd, rifilloi procesin e makinës. Anilës i ngeci koka, duke i shtypur rruazat e qafës. Rindërtimi i hetuesve e shtyu prokuroren, Françeska Torri, të hapë një hetim për kolegen për vrasje nga pakujdesia ndaj Anilës.

Por duhen ende hetime të mëtejshme: kamerat brenda kompanisë do të kontrollohen dhe makineria është sekuestruar; Do të jetë thelbësore të kuptohet nëse procedurat e sigurisë në lidhje me përdorimin e makinerisë janë kryer në mënyrë korrekte, nëse kërkohej të kontrollohej prania e punëtorëve të tjerë aty pranë, përpara se të ndiznin motorët, nëse ishte siguruar një bllok automatik gjatë mirëmbajtjes.

Kolegu: Ajo ishte shefja më e mirë

Të mërkurën punëtorët e fabrikës ishin në shtëpi. “Nuk fjeta mbrëmë, dje (e mërkurë) të gjithë shpërthyen në lot, sepse puna me të ishte e mirë, shefja më e mirë që mund të kishim”, tha një koleg i saj.

“Filluam së bashku, pesë vjet më parë. Ne i kemi thënë gjithmonë se duhet t’i shtrojmë një tapet të kuq kur të hynte. Ajo gjithmonë buzëqeshte edhe kur gjërat nuk shkonin mirë. Ne të gjithë e kemi përdorur atë makinë në këto pesë muaj”, shtron kolegu.

Dhe tani, të gjithë e shikojnë me tmerr dhe frikë. Ata pyesin se çfarë ndodhi dhe nëse mund të ndodhë përsëri.

“Një nga makinat më të sigurta”

Anila ishte fejuar me një djalë nga Susegana. Ata po mendonin për një jetë së bashku, por ajo ëndërr u ndërpre dhunshëm.

“Thanë se ishte një nga makinat më të sigurta, kushtonte miliona euro”, thotë një kushëri i vajzës.

“Ata duhet të na tregojnë pse ajo vdiq duke bërë punën e saj. Aty ndihej mirë, kishte një rol të mirë. Ne kërkojmë që të vendoset drejtësi”.

Kur ndoqi shkollën fillore, Anila kishte mësuese për një vit Angela Colmelleren, ish-kryetare e Bashkisë së Mianes dhe ish-deputete: “Komuniteti ynë është tronditur, është një dramë tronditëse. Anilën e mbaj mend si një vajzë të zgjuar, të qeshur, familjen e saj shumë të integruar, punëtore. Jemi të gjithë pa fjalë”, – tregon Angela./Corriere della Sera