Janë zbardhur detaje nga dosja hetimore e efektiveve te policisë ne piken kufitare të Morinës. Përgjimet që çuan në pranga efektivët tregojnë pazaret që ata bënin për të marrë para në dorë nga qytetarë shqiptarë e kosovarë, për të kaluar në mënyrë të parregullt kufirin.
Më datë 08.02.2022, në orën 15:26 minuta, në kabinën nr. 4 në Pikën e Kalimit Kufitar në Kukës, ka qenë duke kryer shërbim punonjësi i Policisë, Fatri Braha.
Në sportel janë paraqitur shtetas kosovarë, të cilëve përveç dokumenteve të identifikimit u kërkon edhe autorizim për mjetin si dhe testet kundër Covid-19.
Gjatë komunikimit me shtetasin, të cilin e konstaton me mungesë testesh Covid dhe mungesë autorizimi për mjetin, konstatohet të jetë kryer kjo bisedë ku i kërkohet njëherësh edhe dhënia e ryshfetit.
PËRGJIMI
Braha: A keni ba vaksina ju?…. Bjer vaksinat.
Shtetasi kosovar (Nukdëgjohet përgjigjja)
Braha: Autorizimin për makinën. Ça ka makina?
Shtetasi kosovar: Urdhëro, makina ka motorin ka defekt
Braha: Do me ndërru ee?
Shtetasi kosovar: Po
Braha: Kur e keni ba këtë testin?
Shtetasi kosovar: Tashi e kena ba
Braha: Shan ky. Ku është data të q….r.. data, data, 4. Jo, or dajë. Ka mbaru sot…ke por ky asht test i thjeshtë.
Shtetasi kosovar: Nuk kuptohen fjalët.
Braha: Ku e ki autorizimin për makinën?.. Je shumë i parregullt. Hape krahun një herë.
Shtetasi kosovar: A ban në librezë me i fut?
Braha: Po, or ti.
Nga pamjet filmike konstatohet se shtetasi kosovar i jep ryshfet një 5 euro, të cilën punonjësi i Policisë, Fatri Braha, e vendos para pajisjes skaner për dokumentet dhe punonjësi i Policisë. Fatri Braha ka përpunuar dokumentet e po ashtu në vijim ka regjistruar përsëri hyrje një minutë më vonë edhe me automjetin ku dyshohet se këtë automjet e ka të rimorkuar në automjetin tjetër, kjo bazuar në bisedën e kryer për defektin e mjetit.
KALIMI I KËNGËTARES PA PROKURË
Në një prej episodeve interesante që vërehen në dosje është edhe me protagoniste artisten dhe këngëtaren Zajmina Vasjari, e cila ka kaluar fëmijët e saj në kufi pa prokurën e posaçme.
Në dosjen e Prokurorisë theksohet se datën 02.01.2022, ora 10:57, në aplikacionin “Whatsapp”, shtetasi i regjistruar me emrin “Tani Durrës” i thotë Laertit Sulos me sms: “…..është nusja e një shoku të ngushtë me kalamajtë aty Morinë, po s’ka prokurë, Zajmina Vasjari.
Laert Sulo Polici: Kur do kthehet?
Tani: Ja ta pyes… dy ditë, datë 4 ka kthim…
Laerti: Ok, çfarë makine ka ose jepi nr. tim të flas me të…
Tani: ‘Renxh Rover’ ‘AA001UD’…
Laerti: Ok.
Menjëherë më pas, ora 11:00, Laert Sulo ia kalon me mesazh targën e automjetit të shtetases si porosi për ta ndihmuar punonjësit të Policisë Emilton Asllanaj me detyrë përgjegjës turni në P.K.K Morine duke i thënë:
Laert Sulo: Ndihmoje pak është duke ikur për në Kosovë, duhet ta njohësh, Zajmina Vasjari……….
Emiltoni: Jepi nr. tim
Nga verifikimi në sistemin TIMS rezulton se shtetasja Zajmina Vasjari ka kryer dalje nga Republika e Shqipërisë në datë 02.02.2022 dhe ka hyrë në datë 04.02.2022, duke kaluar kufirin me mungesë dokumentacioni Prokurore për fëmijët e mitur, duke u favorizuar dhe ndihmuar nga punonjësi i Policisë Emilton Asllanaj, kundrejt porosisë të marrë nga shefi i stacionit, Laert Sulo.
Po ashtu, nga verifikimi në sistemin TIMS rezultojnë të regjistruar edhe dy fëmijët e saj të mitur.