Nëse mendoni se përballja në “Big Brother” është e ashpër, ajo çfarë po ndodhë jashtë me Luizin, është dyfish më sfiduese.

Suksesi i këngëtarit këtë vit ishte një e papritur sa i përket formatit, ndaj edhe shifrat e tij në rrjetet sociale kapërcyen, duke u bërë figura më e ndjekur në Shqipëri. Mjafton të kujtojmë këtu se Luiz Ejlli ka 4 bilion klikime në “TikTok”, një “Instagram” me rreth 700 k dhe një numër të madh mbështetësish që e kanë shndërruar në kryefjalën e mediave, por jo vetëm.

Në 24 dhjetor, kur ai u bë pjesë e lojës, nuk kishte një “Instagram” dhe ashtu si vetë artisti u shpreh, ia kishte besuar një mikeshës. Në fakt, më pas u zbulua se Jurgena ishte e dashura që la jashtë lojës, por pavarësisht ndarjes, pas lidhjes me Kiarën, ajo vijoi të menaxhonte profilin e tij, si dhe të mbyllte kontratat e marketingut që kërkonin biznese të ndryshme. Këtu duket se filloi problemi me Jurgenën, që shumë shpejt u shndërrua në një ndër personat më të sulmuar të ditëve të fundit.

Ish-fituesi i “Big Brother”, Anaid Kaloti hodhi dyshime se Jurgena, vajza që ka menaxhuar “Instagram”-in e Luizit, ka qenë nën kërcënimin e Meridian Ramçaj dhe “Top Channel”, pasi ata e kanë dashur gjithmonë “Instagram”-in e tij.

E sipas tij, rasti më i mirë për ta bërë këtë ka qenë pas hapjes së “GoFundMe”, ku produksionit i lind e drejta të thotë se imazhi i Luizit po keqpërdoret jashtë. Për sa i përket kësaj situate, një reagim ka ardhur për herë të parë nga vajza në fjalë, Jurgena Tusha.

Ajo ka hapur një llogari në “Instagram” ku ka thënë për herë të parë anën e saj të historisë. Duke mohuar fjalët për Meridianin, Jurgena ka pranuar se është kërcënuar nga ‘Top Channel’ se do të hidhej në gjyq nëse nuk e dorëzonte “Instagram”-in e tij. Mirëpo, a është kjo adresa e vërtetë e Jurgenës?

Në këtë situatë të bujshme është e thjeshtë që gjithkush të pretendojë se është vajza në fjalë dhe të përfitojë nga kjo gjë. Ajo çka ngriti dyshime është se kjo llogari që supozohet të jetë e Jurgenës nuk ndiqet në “Instagram” as nga motra e as nga kunati i Luizit. Gjithashtu, në story-t e Jurgenës është bërë një ripostim ku shihet se kunati i Luizit u ka kërkuar ndjekësve ta ndjekin Jurgenën, mirëpo në vetë “Instagram”-in e tij ky postim nuk ekziston.

E në fakt familjarët kanë ndërhyrë të parët për të marrë “Instagram”- in e Luizit, pas parave që kjo adresë po bënte. Vetëm pak kohë më parë, “Panorama” bëri me dije shumat e majme që adresa e Luiz Ejllit bënte me postimet në story dhe feed. Edhe pse ende është pjesë e lojës, bizneset kanë nisur bashkëpunimet me faqen e tij të “Instagram”-it, ku një postim arrin deri në 3 mijë euro.
Të shumta janë bizneset ‘në radhë’ për t’u publikuar në faqen e tij. Gjithashtu, bizneset kanë nisur bashkëpunimet edhe me Luizin brenda shtëpisë. Përditë e më shumë, këngëtarin po e shohim me veshje apo me aksesorë luksoz.

Të gjitha këto janë dhurata nga bizneset, që ndonëse është e ndaluar t’ia përmendin emrin, nuk kanë ngurruar t’i çojnë veshje të kushtueshme brenda shtëpisë. Dhurata e fundit e mbërritur ishte një varëse floriri, që është krijuar posaçërisht për të. Në profilin e Luizit që Jurgena menaxhonte, të shumta ishin postimet që vinin nga reklamat.
Por duket se ky fakt ka ngritur shqetësim te familjarët fillimisht, duke qenë të paqartë nëse këto para do të shkonin më pas për Luizin, apo Jurgena po përfitonte nga fama e tij. Në këto kushte, pas hapjes së “GoFundMe”, ku edhe u panë që paratë filluan të mblidheshin shumë shpejt, familja kërkoi edhe “Instagram”- in e Luizit.