Është mbajtur seanca në GJKKO për masën e sigurisë për Erzen Breçanin, dhe 3 personat e tjerë të arrestuar, pas përgjimeve të SPAK për trafikun e kokainës nga vendet e Amerikës Latine.
Më tej gjatë seancës, Breçani ka përmendur disa prej operacioneve për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë që ka arrestuar teksa ka qenë pjesë e ekipit të RENEA-s. Vetë Breçani ka pretenduar se nuk është përfshirë në asnjë veprimtari të paligjshme, dhe se nëse ndodhet pas hekurave është për shkak të djalit të tij.
Erzen Breçani: Nëse jam në burg, jam prej djalit. E kam këshilluar që të mos merret me gjëra të paligjshme. Nuk e di se çfarë ka bërë, nuk kam prova nëse ka bërë gjëra të paligjshme. I kam shërbyer këtij vendi, kam rrezikuar dhe jetën time.
Breçani akuzohet për dy vepra penale, atë të përkrahjes së autorit të krimit si dhe pastrim parash.
Paraditen e sotme kanë dalë përpara Gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë Erzen Breçani, Dedan Gjoni, Bujar Gërmizi, dhe Besnik Murati. Për të katërt SPAK do të kërkojë masën e sigurisë arrest me burg.
Të gjithë ata janë vënë në pranga pasi janë pjesë e një grupi kriminal, që trafikonin sasi të mëdha kokaine nga vendet e Amerikës Latine drejt Europës.
Në kërkim vijon të mbetet djali i Breçanit, Eralb Breçanit, Ervin Mata, Ismail Zeneli, Bajram Grabova, Artan Sulejmani, Albert Prenga. Ata akuzohen se trafikonin sasi të mëdha kokaine nga vendet e Amerikës Latine, por edhe se kishin organizuar plane për eleminimin fizik të dy vëllezërve që jetonin në Britaninë e Madhe, Edmund dhe Albert Nela. ZËRI ka zbardhur dosjen e plotë ku evidentohet dhe lidhja familjare e Breçanit me Ervin Matën, motrën e të cilit e kishte nusen e djalit të tij.Nga përgjimet del në skenë edhe emri i këngëtares Elvana Gjata, e cila siç duket shërbente si ‘transportuese’ e parave pasi kishte vënë në dispozicion të të fejuarit të saj, Ervin Mata dhe numrin e llogarisë.