Emisioni “Në Shënjestër” trajtoi arrestimin e Rexhep Rapit, i cili njihet dhe me nofkën Kep Arapi ose ndryshe si ‘i forti i Sukthit’. “Në Shënjestër” ka siguruar dosjen, ku do të zbardhen përgjimet holandeze që implikojnë Kep Arapin, i cili planifikoi vrasjen e hasmit të tij Xhevdet Plaku, që u nxor në pritë nga oficeri Dedan Gjoni. Hetimi nisi nga holandezët të cilët përgjuan Dejvi Gjermënin që po hetohej në Holandë për shtëpi hashashi.
Historia e pabesueshme e një komisari policie në ndjekje të krimit, por që rrugës kishte humbur busullën e drejtimit të misionit të tij të vërtetë. Kjo është historia e Dedan Gjonit, një zyrtari karriere në Policinë e Shtetit, që ndryshe nga e vërteta që duhej të udhëhiqej në misionin e tij, duke shfrytëzuar potencialet dhe mundësitë që i jepte uniforma, dyshohet se ishte vënë në shërbim të plotë të krimit. Madje duke u vetëofruar, tua nxjerrë në pritë, si në një banket ku serviret mish gjahu, rivalë të egër, të cilët kundërshtarët e tyre nuk kishin mundësi t’i ndiqnin apo edhe t’i eleminonin.
Ashtu siç del se kishte vepruar gjithmonë, duke luajtur rolin e një agjenti dyplanësh, atë të zyrtarit të nderuar të policisë dhe paralelisht atë të shërbëtorit të përulur të krimit. Një punë që mesa duket Dedan Gjoni e kishte fort për zemër, pasi ashtu siç kishte vepruar në rastin e dy vëllezërve shqiptarë me banim në Britaninë e Madhe, për të cilët kishte marrë porosi, që ti ndiqte lëvizjet e tyre dhe të familjarëve, me qëllim ekzekutimin, biseda tashmë të zbuluara nga zbërthimi i aplikacionit Sky ECC,
Po kështu ai kishte vepruar edhe me një prej atyre që cilësohen si të fortët e Durrësit. Por që ndryshe nga rasti i dy vëllezërve shqiptarë në Britani, për të cilët ai kishte marrë porosi që ti ndiqte, në historinë që do të tregojmë më poshtë Dedan Gjoni, ofrohet vetë te një grup kriminal të nxjerrë në pritë kundërshtarin e tyre. Madje duke ua nxjerrë në pritë nga dera e komisariatit të Durrësit, aty ku e kishte ndaluar për disa orë objektivin aq shumë lakmuar nga miqtë e tij, të cilët kishin një rast të artë për ta hequr qafe, kjo gjithçka tashmë sipas dosjes hetimore nis mesditën e datës 17 Shtator 2019.
Në atë që besohet se ka qenë një kontroll rutinë policor në qytetin e Durrësit, por që është ende në aspekt i dyshimtë, nëse kontrolli ishte në të vërtetë i tillë në kuadër të masave që merr policia, apo ishte një plan i stisur për të futur në grackë, një tjetër prej të fortëve të Durrësit, që ndërkohë po lëvizte me makinë të blinduar në qytet.
Ky i fortë ishte Xhevdet Plaku, i njohur me pseudonimin ‘Akili’, nofkë të cilën nuk dihet se përse e ka vendosur apo ia kanë vënë, kjo për faktin se ishte këmbëshpejtë në punët e drogës, ku ishte përfshirë jashtë vendit, apo sepse kishte treguar aftësi të veçanta, në mënyrën se si kishte mundur të manovronte si një xhongler i vërtetë me ligjin, duke ia hedhur pse jo, shpeshherë. Por ajo që dihet dhe që tashmë është mësuar, është se Xhevdet Plaku, i cili krahas gjeneraliteteve të tij, mbante edhe rekordin absolut të 25 identiteteve të ndryshme, ishte vënë në ndjekje, nga një tjetër bandë kriminale, edhe kjo në Durrës.
Kjo bandë ishte ajo e drejtuar nga Rexhep Rapi i njohur si Kep Arapi, si ‘I forti i Sukthit’, një personazh gati në hije, për punët e këtushme të protagonistëve të krimit, por që në vërtetë ishte një njeri me shumë ndikim në botën e errët, të drogës dhe vrasjeve. Një personazh që nuk u ndal kurrë në përpjekjet e tij për të marrë hak për vëllain e vrarë. Hetimet tregojnë se Xhevdet Plaku dyshohet se ekzekutoi në Itali, bashkë me një person tjetër, vëllain e Kep Arapit, Sali Rapin, ngjarje kjo e ndodhur në qytetin e Savonas, në vitin 2000.
Pavarësisht se pas 14 vitesh përballje me drejtësinë, Xhevdet Plaku mori pafajësinë, për të fortin e Sukthit, vrasja e të vëllait të tij nuk kishte asnjë dyshim se ishte kryer nga Plaku, i cili ndërkohë thuhet se drejtonte trafikun e drogës nga kryeqyteti hollandez i Amsterdamit, ku edhe ndodhej. Pikërisht, kjo vrasje, do të ishte jo vetëm fundi i një ortakërie të mbyllur jo thjesht me kokën mënjanë, por edhe fillimi i një tjetër lufte, që do të kërkonte tashmë një sagë hakmarrje, por që mesa duket Kep Arapi, nuk kishte mundur ta finalizonte si duhet, edhe pse vitet kishin rrjedhur dhe koha i kishte lënë vend të tjera angazhimeve.
Kjo ndoshta për faktin sepse armiku i tij Xhevdet Plaku, jo vetëm ishte ende i fuqishëm, apo i fortë siç pëlqen të thuhet në Shqipëri, por kishte vazhduar të kujdesej për sigurinë e tij, duke mos e ulur për asnjë moment vigjilencën, ashtu siç u pa të lëvizte edhe atë paradite të 17 shtatorit 2019, me një automjet të blinduar në rrugët e Durrësit. Para se të ndalohej nga oficeri i policisë, Dedan Gjoni, dhe pa e ditur se ky ndalim nuk ishte edhe aq rastësor sa dukej, ose të paktën ai vetë nuk nuhati diçka të tillë në atë moment, por ishte i porositur nga armiqtë e tij, të cilët duke mos pasur mundësi ta gjenin të lirë dhe të shkujdesur, kishin rekrutuar një zyrtar policie që këtë kohë kryente shërbimin e tij në policinë e Durrësit.
Kjo histori kriminale do të zbërthehej falë një hetimi të nisur në shkurt të vitit 2022 nga Prokuroria e Posaçme, që kishte në duar informacione të shërbyera tashmë nga autoritetet e drejtësisë holandeze, të cilët kishin nisur ndërkohë një hetim për Dejvi Gjermënin, që mbante pasaportë shqiptare dhe greke, nën dyshimet se ai ishte pjesë e një organizate kriminale që kishte ngritur shtëpi bari në qytetin Limburg, Holandë. Për këtë arsye për të dokumentuar përfshirjen e Gjermënit në aktivitet kriminal, prokurorët holandezë vendosën ta mbanin atë në përgjim në ambientet e biznesit të tij, por edhe në automjetin personal, aty ku mes të tjerash, ata ranë në dijeni edhe të planit për vrasjen e shqiptarit tjetër, Xhevdet Plaku.
“Nga hetimet janë evidentuar disa shtetas shqiptarë të cilët kanë tentuar më shumë se një herë eleminimin në Shqipëri të një shtetasi shqiptar të quajtur Xhevdet Plaku. Nga metodat speciale të hetimit janë zbuluar biseda në aplikacione të kriptuara si dhe biseda të regjistruara nëpërmjet përgjimeve ambientale. Autoritetet holandeze të drejtësisë, informojnë se konflikti ndërmjet shtetasve Rexhep Rapi dhe Xhevdet Plakut ka bazë hakmarrjen, kjo për shkak se, në vitin 2000 në Savona të Italisë është vrarë me armë zjarri shtetasi Sali Rapi, vëllai i Rexhep Rapit. Vrasja e Sali Rapit, dyshohet se është kryer nga shtetasit Xhevdet Plaku dhe B.P, për shkak të përfshirjes së tyre në veprimtari kriminale të trafikimit të narkotikëve dhe qenieve njerëzore. Dejvi Gjermëni rezulton se komunikon me persona të ndryshëm në lidhje me këtë ngjarje, disa prej të cilëve nuk janë identifikuar. Në një nga bisedat e përgjuara, Gjermëni po kështu informon bashkëbiseduesin duke i treguar se zyrtari i policisë Dedan Gjoni, ka pasur një rol ndihmës për personat që do kryenin vrasjen e Xhevdet Plakut, duke e marrë në pyetje, në një procedurë të rregullt konform standardeve të policisë”, thuhet në dosjen hetimore.
Por me të përfunduar intervistimin, ai e ka lënë të lirë dhe deri këtu asgjë nuk është dukur anormale, deri në momentin kur katër vite më pas, zbërthimi i bisedave që grupet kriminale kanë bërë me njëra-tjetrën, apo me oficerë të policisë, zbuluan edhe komunikimet që Dedan Gjoni kishte me Dejvi Gjermënin, një prej të dyshuarve si pjesëtarë të grupit të Kep Arapit, kundërshtar i përbetuar i Xhevdet Plakut, ku i forti i Sukthit del se kërkonte me çdo kusht kokën e Plakut, dhe për këtë motiv ishte i interesuar të kishte informacion për çdo lëvizje të tij. Porosi që Gjoni jo vetëm e ka përmbushur me devotshmëri, por edhe ia bëri gati Kepit, prenë e tij, duke ia nxjerrë Plakun në pritë, mbrëmjen e 17 Shtatorit 2019, kur e kishte ndaluar duke e marrë në pyetje. Ajo çfarë rezulton më pas është se Dedan Gjoni ka qenë me patrullën e policisë kur ka konstatuar një makinë të blinduar të cilën ka vendosur ta ndalojë dhe ta kontrollojë. Personi që ai ndalon i është prezantuar si Xhevdet Plaku me mbiemrin e ndryshuar Kiss.
“Dedan Gjoni nëpërmjet Whatsapp-it i ka dërguar Gjermënit foton e Xhevdet Plakut dhe një mesazh ku i thotë që ky i fundit do të dalë në orën 20:00 nga dera e pasme e rajonit të policisë. Këtë informacion Dejvi Gjermëni më pas ia ka dërguar një personi me emrin Geri, identifikuar si Algert Rapi, nipi i Rexhep Rapit. Nga këqyrja e të dhënave në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, ka rezultuar se, më datë 17 Shtator 2019, në orën 10:10, është shoqëruar në Komisariatin e Policisë, Durrës shtetasi Xhevdet Haziz Kiss alias Xhevdet Plaku, me arsyen se është i dyshuar për kryerjen e një vepre penale. Nga këqyrja evidentohet se shtetasi Xhevdet Hazis Kiss alias Xhevdet Plaku ka dalë nga komisariati i policisë në orën 20:10, të datës 17 Shtator 2019, fakt ky që përputhet ekzaktësisht me bisedën e të hetuarit Dejvi Gjermëni”, – thuhet në dosjen hetimore.
Por kur pritej që Xhevdet Plaku të qëllohej me të dalë nga komisariati i policisë, grupi u tërhoq nga realizimi i objektivit. Në atë kohë arsyet e mosvënies në funksion të planit për të vrarë Plakun, ishte frika e dekonspirimit, por në një bisede të mëvonshme të përgjuar ne zyrat e biznesit të tij, Dejvi Gjermëni ankohet për atentatorët, të cilët siç ai thotë nuk kanë punuar si duhet, sepse kanë shkuar të armatosur me armë kallashnikov në afërsi të rajonit të policisë ku ishte ndaluar Xhevdet Plaku. Por shumë vite më pas, me zbardhjen e bisedave të përgjuara, midis pjesëtarëve të këtij grupi u zbulua se arsyeja ishte komunikimi që ky i fundit kishte bërë me Dejvi Gjermënin, nëpërmjet Whats app. Komunikim që në vlerësimin e Gjermënit ishte i pasigurt dhe bisedat në këtë platformë mund ta fundosnin, ashtu siç edhe ndodhi.
“Dejvi Gjermeni bisedon në ambientet e firmës së tij me një person të quajtur Tole/ Toqe në lidhje me tentativën e vrasjes së shtetasit Xhevdet Plaku. Ku ndër të tjera, ky shtetas sqaron në bisedë edhe rolin e zyrtarit të policisë Dedan Gjoni në këtë ngjarje. ‘Unë ja kam dhënë atyre Detin, nëpërmjet Dedës ja dhashë’. Më tej ai sqaron se vrasja e shtetasit Xhevdet Plaku, nuk është kryer sepse Deda pasi e ka ndaluar në rajonin e policisë Plakun i ka dërguar Gjermënit informacionin bashkë me një foto të Plakut nëpërmjet Whatsapp. Gjermeni ka pasur frikë se, informacioni nëpërmjet Whatsapp-it mund të zbulohej më vonë”, thuhet në dosjen hetimore.
Nga përgjimet del se Dedan Gjoni atë ditë nuk e ka patur me vete telefonin me programin e kriptuar Encrochat dhe sipas Gjermënit, Kepi ka shkuar tek rajoni i policisë së bashku me njerëzit e tij me kallashnikov, aty ku Gjermëni del se u ka kërkuar të tërhiqeshin nga plani, pasi kishte frikën e dekonspirimit. “Gjermëni thotë se u frikësua se mos kjo gjë do të zbulohej dhe për të shpëtuar veten ka vendosur ti thotë Gerit, Algert Rapit: ‘Thuaj atyre (me kallashnikov) të ikin se Xhevdet Plaku nuk është më aty në rajon, e kanë liruar’. Më pas Gjermëni thotë: ‘Ai po të ishte tamam burrë nuk duhej të kishte shkuar me armë para rajonit të policisë, ne ja dhamë Plakun. Ata po të ishin të zgjuar merrnin nja 4 makina dhe e ndiqnin deri kur mos kishte ku të ikte’”, thuhet në dosjen hetimore.
Alger Rapi, i cili më herët ka qenë i dënuar për tjetërsim pronash, i konsideruar edhe ky si i Forti i Sukthit, më herët ka qenë i dënuar për trafikim të lëndëve narkotike, armëmbajtje pa leje dhe vrasje. Po kush ishte bashkëbiseduesi i Dejvi Gjermënit, që njihej me nofkën Tole, të cilit ai besonte gjithçka, Tole që del të jetë një zbulim tejet interesant. Pasi pas kësaj nofke, personi i identifikuar rezulton të jetë Toni Dervishi alias Toni Margen, i cili i ekzekutua vetëm disa muaj më parë, në zonën e Sallmones në Shijaku, ku siç shikohet në dosje, Toni Dervishi kishte marrë edhe porosi për të vrarë pjesëtarë të familjes Plaku.
“Në ambientet e firmës se Gjermënit në Holandë, zhvillohet një bisedë mes tij dhe Toni Dervishit, ky i fundit, shprehet se është shumë e vështirë që ta fusësh në kurth Xhevdet Plakun, pasi ai ruhet shumë. Sipas Tonit, Plaku nga ana e tij duhet të ketë paguar shumë para për të vrarë njerëzit e Gerit (Algert Rapit), fotografitë e të cilëve Plaku ia ka shpërndarë njerëzve të vet. Në një tjetër bisedë Toni Dervishi, thotë se Kep Arapit i është bërë para një viti një ofertë për të vrarë vëllain e Plakut dhe kur Xhevdeti të kryente ceremoninë e varrimit do të realizonin dhe ekzekutimin e tij. Toni Dervishi shpjegon më tej se Kep Arapi nuk paguan para për të vrarë Plakun, pasi do ta bëjë më dorën e tij”, thuhet në dosjen hetimore. Nga përgjimi i bisedave ambientale autoritetet holandeze kanë evidentuar se, në të kaluarën Toni Dervishi, Rexhep Rapi dhe nipi i tij, Algert Rapi, kanë tentuar të paktën në tre raste vrasjen e shtetasit Xhevdet Plaku në vendet: Golem, Kavajë, në Portin e Durrësit si dhe në zonën e hekurudhës Durrës.
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal nr.19/2022, i cili është regjistruar në bazë të informacioneve të përcjella nga autoritetet e drejtësisë së Mbretërisë së Holandës. Nga veprimet e kryera deri në këtë fazë të hetimit ka rezultuar se, shtetasit Rexhep Rapi, Dejvi Gjermëni, Algert Rapi në bashkëpunim me shtetasin Dedan Gjoni (punonjës policie) kanë konsumuar faktin penal të sigurimit të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer një vrasje, në dëm të shtetasit Xhevdet Plaku ngjarje e planifikuar të realizohej më datë 17 Shtator 2019, në Durrës”, – thuhet në dosjen hetimore.
Kush është Xhevdet Plaku, dhe përse Kep Arapi e kishte halë në sy dhe kërkonte me insistim ekzekutimin e tij?
Sipas të dhënave të siguruara nga emisioni ‘Në Shënjestër’, 51-vjeçari ka një histori të pasur të lidhur me krimin në kohë të ndryshme. I njohur me nofkën ‘Akili’ por edhe shumë të tjera, të cilat i ka vënë në përdorim sa herë ia ka lypur nevoja, ai thuhet se ishte drejtuesi i një grupi kriminal shqiptar me bazë në Itali që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike, nga Holanda dhe Belgjika, bandë e cila thuhet se i ndante pakot e drogës në bazë të cilësisë. Cilësi e cila dallonte edhe emërtimet ku kokaina më e pastër ishte ‘Hermes’ dhe më pas ‘Lacoste’, ‘G4’, ‘Rolls royce’ dhe ‘Play Boy’. Por për t’iu kthyer përplasjes së tij me Kep Arapin, me vend është të ndalemi te vrasja e vëllait të tij, Sali Rapi, në vitin 2000, vrasje që thuhet se Xhevdet Plaku e kreu bashkë me një person tjetër.
Sipas të përditshmeve të kohës në Itali, ekzekutimi i Sali Rapit ndodhi më 10 qershor 2000 në qytezën Borghetto. I akuzuari kryesor për këtë krim, sipas Gjykatës së Savonës, ishte Adrian Besnik Plaku, i njohur si ‘Niko’, në atë kohë 36 vjeç, i cili duke shfrytëzuar mungesën e një njoftimi, kish mundur fillimisht tia hidhte drejtësisë. Ndërsa i akuzuari i dytë ishte 28-vjeçari, Xhevdet Plaku, i njohur me shkurtimin ‘Deti’ i cili edhe ky duke shfrytëzuar këtë burokraci, kishte mundur të arratisej. Sipas akuzës, ‘Deti’, së bashku me Adrian Plakun, kishin vrarë Sali Rapin, duke i ngritur atij një pusi dhe duke e qëlluar me dy të shtëna në kokë. Përplasje me armë gjatë të cilës mbeti i plagosur rëndë edhe Alfred Hasa, ku hetuesit kishin dyshimet e tyre se vrasja ndodhi si pasojë e mosmarrëveshjeve midis ‘bandave’ për atë që njihet si kontrolli i tregut të prostitucionit në rrugë përgjatë Aurelias. Por edhe pse ishte ekstraduar nga Shqipëria në drejtim të Italisë për të vuajtur dënimin për vrasjen e Sali Rapit, në vitin 2003 një gabim i pafalshëm i gjykatës së Gjenovës, e nxorri edhe njëherë në liri të parakohshme Xhevdet Plakun, kjo falë një gabimi burokratik.
“Ai ishte ekstraduar nga Shqipëria për shkak se ishte përgjegjës për vrasjen e një bashkatdhetari në vitin 2000 në Borghetto Santo Spirito. Por që nga e premtja, Xhevdet Plaku, 33 vjeç, është sërish i lirë, për shkak të një gabimi të organeve të drejtësisë. Në fakt, gjyqtarët gjenovezë të Gjykatës Shqyrtuese nuk i morën në kohë dokumentet e gjykimit nga Gjykata e Asisses, e cila kishte lëshuar urdhrin për masën e sigurisë në burg dhe nuk u mbeti gjë tjetër veçse të urdhëronin lirimin e tij. Kështu i huaji u largua nga burgu Sant’Agostino të premten pak pas orës 15:00, me rreth 280 euro në xhep dhe që atëherë është zhdukur. Pra kërkesa për arrestim e zv.prokurorit Danilo Cecarelli për atë krim brutal të 11 qershorit ku mbeti i vrarë me dy të shtëna në kokë 32-vjeçari Sali Rapi, rezultoi i padobishëm.
Por vrasja e Sali Rapit në Itali në vitin 2000, nuk është e vetmja që i atribuohet Xhevdet Plakut. Mbrëmjen e 24 qershorit të vitit 2003, ai thuhet se ka vrarë me armë zjarri në fshatin Sinë të Durrësit, në derën e banesës së tij, në sy të të vëllait dhe të një personi që e shoqëronte, shtetasin Saimir Sina. E gjithë zanafilla e përplasjes së dy miqve që më pas u kthyen në armiq, lindi pasi gjatë kohës që Xhevdet Plaku ndodhej në Itali, Saimir Sina i kishte mashtruar të dashurën, duke i thënë se do ta çonte te ai dhe e kishte shfrytëzuar për qëllime prostitucioni”, shkruajnë mediat italiane.
“I pandehuri Xhevdet Plaku dhe i ndjeri Saimir Sina janë banorë të Lagjes nr.15, Spitallë, Durrës dhe kanë pasur shoqëri me njëri-tjetrin. Meqenëse i pandehuri Xhevdet Plaku ka qenë emigrant në Itali dhe i ndjeri Saimir Sina ishte në dijeni të faktit se ai kishte të dashur shtetasen Nertila K, duke përfituar dhe nga njohja personale me Nertilën, ai i ka propozuar asaj për ta çuar në mënyrë ilegale në Itali, me qëllim për t’u bashkuar me të dashurin e saj. Nertila K. e ka pranuar këtë propozim dhe në Korrik 2001 Saimir Sina së bashku me një person tjetër e kanë çuar atë në Itali, por jo në destinacionin në të cilin ranë dakord, por në Romë ku dhe e kanë detyruar forcërisht që të ushtronte prostitucion për llogari të tyre”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Lartë.
Por Xhevdet Plaku duket se nuk ia fali mikut të tij tradhtinë dhe njëkohësisht poshtërimin që ai i kishte shkaktuar të dashurës së tij, duke e nxjerrë në rrugë në Itali të prostituonte. Ai priti derisa Saimir Sina të dilte nga burgu. Dhe vetëm ditë pasi ai la qelinë i shkoi në banesë, ku pas një debati të shkurtër e qëlloi për vdekje, duke vendosur kështu në vend edhe nderin e përdhosur të së dashurës së tij, por edhe të atij vetë. Duke i lënë të kuptojë të dashurës së tij, se kjo formë hakmarrje ishte edhe një mesazh, që ai nuk kishte gisht në planin djallëzor që Saimir Sina vuri në jetë me shfrytëzimin e saj, duke përdorur emrin e Xhevdetit.
“Nertila K, me t’u kthyer në Shqipëri në Dhjetor të vitit 2001 ka paraqitur kallëzim penal për ngjarjen e mësipërme. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës me vendimin nr.299, datë 29 Maj 2003 e ka deklaruar fajtor shtetasin Saimir Sina për veprën penale të ‘dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit’ të kryer në bashkëpunim dhe e ka dënuar me 1 vit e 6 muaj burg. I pandehuri Xhevdet Plaku pasi është vënë në dijeni të veprimeve të Saimir Sinës ndaj të dashurës së tij, ka vendosur të hakmerret, plan të cilin e ka konkretizuar disa ditë pas daljes së Saimirit nga burgu. Pikërisht më datë 24 Qershor 2003, rreth orës 21.00, pasi e kishte vëzhguar dhe ruajtur për disa ditë me radhë, i pandehuri ka shkuar me makinën e tij tip ‘Seat’ pranë banesës të Saimirit, i cili në atë moment ishte i shoqëruar nga i vëllai dhe disa shokë të tjerë”, – thuhet në vendimin e Gjykatës së Lartë.
Sipas dëshmive ka rezultuar se i pandehuri e ka thirrur viktimën dhe pas një debati të shkurtër me fjalë, në momentin kur ai ka marrë rrugën për t’u larguar, Xhevdet Plaku e ka qëlluar tri herë me pistoletën që e mbante pa leje, duke i shkaktuar vdekjen. Por Xhevdet Plaku, ashtu si ka ngritur armën dha ka qëlluar ndaj kundërshtarëve të tij, apo atyre që e tradhtuan, po kështu ka qenë edhe vetë pre e atentateve, ai thuhet se i ka mbijetuar një tjetër atentati, këtë here në Spitallë të Durrësit, prapa të cilit dyshohet se ishin njerëzit e Rexhep Rapit.
Më 20 janar 2001 në lagjen nr.15, Spitallë, Durrës, shtetasi Xhevdet Plaku, i cili udhëtonte me mjetin me targë DR 7853 A, është qëlluar me armë zjarri nga persona të paidentifikuar. Nga provat e grumbulluara në vendngjarje dyshohet se ka pasur një pritë të organizuar nga persona që përdornin mjetin Benz me targë SH 0848 A, kundrejt personit që udhëtonte me mjetin tip Benz me targë DR 7853 A. Mjete këto të gjetura të braktisura në vendin e ngjarjes. Në afërsi të mjetit tip Benz me targë SH 0848 A, janë administruar nga grupi hetimor 38 gëzhoja të qitura nga e njëjta armë, pra sipas grupit hetimor, Xhevdet Plaku iu përgjigj atentatorëve, shkaku për të cilin u dënua për armëmbajtje pa leje.
“Nga akti i ekspertimit ka rezultuar se të 17 gëzhojat e gjetura në sediljet e automjetit me targë DR 7853 A, me të cilën udhëtonte i pandehuri Xhevdet Plaku, janë të armës që ai ka përdorur. Në momentin kur ai është sulmuar, ai ka qenë i vetëm në makinë. Nga hetimi i çështjes ka rezultuar se në këtë ngjarje ka pasur shkëmbim zjarri duke u përdorur dy lloje armësh, automatik dhe pistoletë, dhe se pistoleta ka qëlluar nga brenda makinës së të pandehurit Xhevdet Plaku, pasi në xhamin e makinës janë 17 vrima me drejtimin nga brenda-jashtë, që i korrespondojnë 17 gëzhojave të gjetura në makinë”, – thuhet në dosjen hetimore. Por edhe pse kjo ngjarje ka më shumë se 20 vite që ka ndodhur, ajo ka mbetur ende e pazbardhur dhe pa autor, ndërkohë që inati i vjetër midis Plakut dhe Kepit në njërin anë, vetëm sa është mbajtur i shuar, pasi zbulimet e reja, tregojnë se gjaku jo vetëm nuk është falur, por ato janë ndezur kohë pas kohe. Qoftë edhe lart vëmendjes së opinionit publik, si në rastin e komisarit Dedan Gjoni, i cili del se ishte rekrutuar për ta nxjerrë në pritë Xhevdet Plakun për llogari të Kep Arapit.