Pothuajse 8 vite pas ngjarjes është arrestuar vrasësi i dyshuar i Edvin Sadikut, i vrarë në vitin 2017. Karabinierët e Komandës Provinciale të Barit ekzekutuan urdhër-arrestin me kërkesë të gjyqtarit hetues të Barit.
Në pranga ka përfunduar 37-vjeçari me inicialet C.F., me origjinë nga Bitonto, i hetuar për vrasje me paramendim, posedim i armëve të zjarrit, të rënduara me metoda mafioze.
Sipas asaj që u rikonstruktua nga hetuesit, mbrëmjen e datës 3 shkurt 2017, rreth orës 19.00, në Toritto në drejtim të Palo del Colle, Edvin Sadiku, 33 vjeç në atë kohë, dhe që besohet se i përkiste klanit Cipriano të Bitontos, ishte përfshirë në një grabitje të armatosur kundër një burri, i cili ishte goditur qëllimisht nga pas me makinë dhe sapo kishte dalë nga automjeti, ishte goditur me kondakun e armës në kokë dhe i kishte marrë makinën.
Menjëherë më pas, grabitësit janë larguar me të dyja makinat, duke arritur në fshatin Binetto, ku 37-vjeçari i arrestuar së fundmi ka zbritur nga makina dhe, duke e zënë në befasi, ka qëlluar të paktën 12 herë me armë zjarri në drejtim të bashkëpunëtorit të tij Evdin Sadiku në qafë dhe kokë. Rezultatet e autopsisë dhe testeve balistike treguan më pas se të shtëna të tjera me armë ishin qëlluar në drejtim të viktimës, pasi kishte rënë në tokë.
Vendimi për eliminimin e Sadikut është marrë nga kreu i organizatës përkatëse kriminale, i arrestuar sot, për të shmangur rrezikun që ai të bashkëpunonte me drejtësinë dhe të bënte deklarata për aktet e përgjakshme të kryera nga drejtuesit e organizatë kriminale. Rreziku do të ishte marrja e dënimeve të përjetshme, nëse jo edhe zhdukja e klanit të cilit i përkisnin. Për këtë arsye, gjyqtari hetues vlerësoi se ekziston rrethanë rënduese e metodës mafioze dhe synimi për favorizimin e një shoqate mafioze.
Veprimtaria hetimore, e cila çoi në arrestimin e 37-vjeçarit, është pjesë e një konteksti më të gjerë hetimor, i cili përfshiu të gjithë zonën e bashkisë Bitonto.
Edvin Sadiku ishte një person i njohur për policinë italiane. Ai rezulton me disa precedentë për trafik lëndësh narkotike. Në vitin 2012 shqiptari përfundoi në pranga në një operacion të gjerë policor kundër trafikut të drogës dhe armëve, ku u arrestuan 44 persona, mes tyre edhe shqiptarja Eglantina Arapi. /gazetajone