Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të mërkurën, tha se objekti që u bastis afër stacionit policor në Prishtinë i përkiste një organizate të kundërligjshme jo-qeveritare (OJQ), ndërsa shtoi se një veprimtari e tillë në mes të tre institucioneve më të larta të sigurisë është tejet e dyshimtë dhe paraqet rrezik për sigurinë e vendit.
Policia e Kosovës bastisi një objekt në qendër të kryeqytetit, ndërsa Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se dyshohet që në objektin afër stacionit policor ishin duke u ofruar shërbime të kundërligjshme mjekësore.
“Departamenti i OJQ-ve në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme ka konfirmuar se organizata ‘Centar za Mir i Toleranciju Pristina’ nuk ka respektuar legjislacionin në fuqi mbi funksionimin e OJQ-ve”, shkroi ministri Sveçla, duke thënë se veprimtaria ilegale e organizatës në fjalë është tejet e dyshimtë se paraqet rrezik për sigurinë e Kosovës.
“Një veprimtari e tillë në mes të tre institucioneve më të larta të sigurisë së Kosovës – Ministrisë së Punëve të Brendshme, Kryeprokurorisë dhe Policisë së Kosovës – është tejet e dyshimtë dhe paraqet rrezik për sigurinë e vendit”.
Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë thanë nëpërmjet një komunikate se për zhvillimet rreth këtij aksioni do të njoftojnë opinionin publik me kohë, derisa objekti pranë stacionit të Policisë së Kosovës në qendër të Prishtinës vazhdon të jetë i rrethuar nga njësitet policore.
Në bazë të raportimeve fillestare, aksioni i Policisë së Kosovës erdhi pas dyshimeve se objekti afër stacionit policor ishte duke shërbyer si “qendër spiunazhi” nën logon e një OJQ-je (Qendra për Paqe dhe Tolerancë – CPT) që është themeluar në vitin 2002 për të mbështetur forcimin e kapaciteteve të institucioneve lokale në komunat e banuara me shumicë serbe.