Personi i cili ka bërë audio-përgjimin kundrejt kandidatit për bashkinë Himarë, Fredi Beleri, sipas edhe burimeve nga prokuroria dyshohet të jetë Arsen Rama.
Pas bërjes publike të këtij rasti në media i vëllai i tij, Abdul Rama, tregon në një intervistë për mediat se rasti dhe mënyra se si është trajtuar ka patur pasoja të mëdha tek ai vetë dhe familja e tij.
Sipas Abdul Ramës nuk dihet ende saktësisht nëse audio-përgjimin e ka bërë i vëllai i tij, pasi pas arrestimit të kandidatit Beleri nuk ka mundur të flasë më të, por ata si familje kërkojnë të distancohet nga kjo ngjarje.
Çdo gjë e kemi marrë vesh në media. Nuk e dimë rolin e të dyshuarit në dosjen e përgjimit. Nuk kam folur me vëllanë përveç ditës kur u arrestua Beleri. Erdhi policia në 2 të natës dhe na mori në pyetje në komisariat. Policia ka marrë vetëm vëllain tim, babanë dhe familjarë që jetojnë në Palasë. Është një situatë e vështirë. Ne nuk kemi përgjegjësi për veprimet që ai ka kryer. Ai është 22 vjeç dhe nuk i dimë rrethanat, situata. Nuk kemi pasur kontakt me asnjë person. Na bie dhe ne një pjesë përgjegjësie. Nuk mbajmë anë”, u shpreh Abdul Rama për A2.
Abdul Rama pohon se kandidatin Beleri e kanë mik familjeje teksa ky i fundit i ka ndihmuar shumë herë. Me Belerin, sipas Abdul Ramës, familja e tij, por edhe i vëllai kanë patur vetëm marrëdhënie pune, për të shitur peshkun tek restoranti në Himarë i Belerit.
“Me Fredi Belerin kemi pasur raport miqësor. Për ne është një mik i mirë. Nuk kemi pasur probleme. Personi i dyshuar në këtë dosje ka pasur marrëdhënie se vetëm i çonte peshk në restorant dhe bashkë kanë bërë muhabet vetëm për peshk”, tha ai.