Personi që shihni në fotot është 39-vjeçari Florian Gjergji i shpallur në kërkim që në 10 janar të këtij viti si si koka e grupit që arriti të mashtrojë biznesmenët më të fuqishëm të Tiranës disave prej tyre duke iu marrë shuma të mëdha parash në emër të politikanëve të njohur të vendit.

Florian Gjergji u shkruante në aplikacionet e komunikimeve biznesmenëve duke u shtirur si person i njohur i politikës me post të lartë shtetëror dhe është provuar se ka mashtruar të paktën në tre raste dhe dyshohet edhe për një rast të katërt.

Dyshohet se 39-vjeçari ndodhet në Gjermani, ku prej kohësh ka organizuar të gjitha skemat e mashtrimit.

Ai dyshohet si “koka” e grupit të mashtrimit, teksa bashkëpunëtorët e tij në Shqipëri

Në operacionin e parë të koduar me emrin “Signal” ranë në pranga Jasmin Pepaj, Rezart Pepaj dhe Sherif Kadroviç. Tre të rinjtë shkodranë tentuan që përmes një mesazhi ku prezantoheshin me emrin “Edi” të mashtrojnë biznesmenin e ndërtimit Pëllumb Salillari duke i kërkuar 130 mijë euro. Tri ditë më vonë, policia prangosi 3 të dyshuar të tjerë, Erjon Likën, Edmir Jaçen dhe Gazmir Ismailajn, në operacionin “Subjekti”.

Ata tentuan që t’i merrnin 13 mijë euro administratorit të një biznesi në Kamzë. Më tej, më 13 shkurt në operacionin “Tentativa” u arrestuan Ergys Ahmetaj, Andi Basha dhe Gëzim Kusi, të cilët i kërkuan para pronarit të një kazinoje në Tiranë. Në rastin e fundit, autorët i kërkuan 100 mijë euro biznesmenit Ram Geci, të cilit në mënyrë mashtruese iu prezantuan në emër të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

“Lali jam, ti e di si e kam situatën në këto kohë, a ke mundësi për 100 (mijë euro)?” – ishte mesazhi që iu dërgua biznesmenit Ram Geci.

Policia gjurmoi personat që shkuan të marrin paratë dhe arrestoi babë e bir, Bedri e Albert Vodha, gjatë operacionit të koduar “Telegram”.

Në hetimet e kryera nga Njësia “E” ka rezultuar se koka kryesore kriminale e mashtrimit në operacionet “Subjekti”, “Tentativa” dhe “Telegram”, është 39-vjeçari Florian Gjergji, i cili  i ka shpëtuar arrestimit.

Në rastin e tentativës për të mashtruar pronarin e “Everest”, Florian Gjergji, përmes një aplikacioni komunikimi me numër me prefiks të Britanisë së Madhe, u prezantua si zyrtar i tatimeve. Kur tentoi të mashtronte pronarin e një kazinoje u prezantua në emër të ish-kreut të Kadastrës, Artan Lame, ndërsa në rastin e fundit për biznesmenin Ramë Geci u prezantua si kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Siç duket, Florian Gjergji, ka informacione të detajuar të marrëdhënieve të biznesmenëve edhe me politikanët.

Burime bëjnë me dije, se këto janë rastet e provuara të mashtrimit të tij, por Florian Gjergji dyshohet se ka bërë edhe tentativa të tjera, duke mashtruar në emër të kryebashkiakut aktual të Laçit, apo ministrit të Mbrojtjes, Niko Peleshi.