janë dy shtetasit nga Kosova të shpallur në kërkim, të dyshuar si anëtarë të grupit kriminal që u godit nga policia e Tiranës dhe ku u sekuestruan 46 kilogramë tritol.

Azemi që dyshohet edhe si koka i grupit kriminal, figuron i shpallur në kërkim edhe në vitin 2022, për plagosjen e Shpëtim Metalia, ngjarje e ndodhur në një lokal nate në Tiranë.

Azemi dhe Abdullahu dyshohet se futën sasinë e konsiderueshme të lëndëve plasëse përmes linjës së autobusëve Kosovë-Shqipëri. Së bashku me 3 të arrestuarit e tjerë, gjithashtu nga Kosova, dyshohet se ata kishin lidhje me bandat kriminale në Shkodër.

Hetuesit kanë nisur të hetojnë disa ngjarje të rënda si në Shkodër dhe në Tiranë, ngjarje të hershme me shpërthime tritoli, pasi ka dyshime se ky grup të jetë i përfshirë.

Të martën, policia e Tiranës njoftoi se kishte arrestuar Rigon Maliqin, 20 vjeç, Liron Pirën, 25 vjeç, Shkëlqim Halabakun, 27 vjeç, të tre banues në Gjilan. Hetimi 4 mujor i sektorit të krimit të organizuar në Policinë e Tiranës u finalizua me sekuestrimin e 203 kallëpeve me peshë totale 46 kg.

Ndërkohë, ministri i Brendshëm Taulant Balla u shpreh i keqardhur për publikimet në mediat e Kosovës lidhur me operacionin e Policisë së Shtetit.

“Operacioni është plotësisht i dokumentuar dhe informoj me këtë rast opinionin publik në Kosovë se, citoj: Në datë 4 shkurt 2024, në orën 22.38, Salla Operative e Tiranës i ka dërguar informacion Sallës Operative Kukës se një mjet me targa të Kosovës, nëse konstatohej duhej ndaluar për shkak të një hetimi në ndjekje e sipër. Në ora 00:30, në Pikën e Kontrollit të vendosur në “Rrugën e Kombit”, Policia e Kukësit ka identifikuar mjetin tip “BMË”, ku pasagjer në vendin e parë ndodhej shtetasi kosovar Liron Pira, i shpallur në kërkim për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Pas mjetit të parë tip “BMË” me targa të Kosovës, objekt kontrolli, ishte edhe një automjet i dytë tip “Skoda”, i cili nga intervistimi i pasagjerëve, rezultoi se udhëtonin së bashku. Automjetet së bashku me personat u shoqëruan në ambientet e DVP Kukës për verifikime të mëtejshme duke zbatuar procedurat standarde të shoqërimit. Punonjësit e Policisë u kanë bërë me dije arsyet e verifikimit dhe shoqërimit, në bazë të kërkesës nga DVP Tiranë. Theksojmë se drejtuesi i mjetit ka pranuar dhe nuk ka kundërshtuar për asnjë moment punonjësit e policisë. Shërbimet e DVP Tiranë kanë udhëtuar drejt DVP Kukës menjëherë sa kanë marrë njoftim, dhe kanë marrë shtetasit e shoqëruar dy automjetet e lartpërmendura, duke kryer veprimet administrative sipas procedurës standarde të Policisë Shtetit”,thotë Balla.

Ministri po ashtu sqaron se “sa i takon pretendimeve të ndonjë prej artistëve të trupës së përfshirë në objektin e operacionit, për keqtrajtim nga ana e Policisë së Shtetit, informoj se AMP ka nisur hetimin lidhur me këtë. Por pretendimi për orët e tepërta mbajtjes në polici të tyre nuk qëndron, përkundrazi Policia e Shtetit ka vepruar shumë më shpejt se sa afati standard i verifikimeve, pikërisht sepse ka pasur parasysh statusin e aktorëve të ndodhur në vendngjarje. Të cilët sidoqoftë nuk mund të liheshin të lirë pa u bërë të gjitha verifikimet. Së fundmi keqardhja mbetet dhe bëhet edhe më e madhe, kur në vend të mirëkuptimit për faktin se ky operacion rezultoi në kapjen e 203 kallëp tritoli, nxitet keqkuptimi dhe mllefi kundër uniformave blu të Republikës së Shqipërisë”.