Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka mbajtur një fjalim ditën e sotme në Kuvendin e Shqipërisë përmes një video-mesazhi me ligjvënësit shqiptarë. Lideri ukrainas foli për situatën në vendin e tij dhe nevojën për më shumë mbështetje humanitare dhe armatime për të cilat ka nevojë ushtria në përballimin e Rusisë.
Edi Rama: Ky parlament që sot ka nderin që t’u dëgjojë ju, nuk shquhet për dakordësinë mes palëve. Janë shumë të rralla në 30 vite pluralizëm dhe mbështetja ndaj rezistencës ukrainase kundër Rusisë është në ato raste kur kemi qenë të gjithë dakord. Jo vetëm ne, por krejt Shqipëria, të gjithë shqiptarët, i gjithë kombi ynë, përfshirë edhe Kosovën, jemi rreshtuar krah jush me zemër, mendje dhe cdo gjë që kemi mundur. Jemi më vegjël se Ukraina, krahasuar me sfidën tuaj, por ne kemi besuar që në fillim se nëse në aspektin e mbështetjes materiale nuk bëjmë diferencën, mund të jemi të zëshëm në NATO dhe OKB me qëndrime kundër agresionit rus. Në 5 maj Shqipëria do të jetë në konferencën e donatorëve për Ukrainën ku do të japim kontributin tonë. Më lejoni tu them se historia jonë e afërt, ku gjysmë milion shqiptar u shpërngulën nga Kosova në Shqipëri, na ndihmon ta ndjejmë dhimbjen nga larg” tha ai.
Fjala e kryeministrit Edi Rama në seancën e posaçme parlamentare, ku Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky iu drejtua Kuvendit Shqiptar me një fjalë, drejtpërdrejtë nga Kievi:
Shkëlqesia Juaj, Presidenti i Ukrainës,
Mik i nderuar,
ky parlament që sot ka nderin të mblidhet t’ju dëgjojë, nuk shquhet për shpirtin e dakordësisë mes palëve.
Janë shumë të rralla në tridhjetë vjet pluralizëm, rastet kur në këtë parlament palët kanë rënë dakord dhe mbështetja, megjithë mend e megjithë zemër, e rezistencës ukrainase ndaj pushtuesve rusë, është një nga ato raste, edhe më të rralla, kur të gjithë ne këtu, kemi qenë dakord pa bërë as më të voglin diskutim.
Qysh prej orës së parë të agresionit mbi Ukrainën, jo vetëm ne, po krejt Shqipëria, të gjithë shqiptarët kudo ku jetojnë, i gjithë kombi ynë, përfshirë edhe shtetin tjetër shqiptar, Kosovën, jemi rreshtuar krah jush, me zemër, me mendje, e me çdo gjë kemi mundur.
Shqipëria është një vend shumë më i vogël se sa Ukraina zoti President. Mundësitë tona për t’ju ardhur në ndihmë janë krejt modeste, krahasuar me madhësinë marramendëse të sfidës suaj.
Por, ne kemi besuar qysh në fillim, se nëse në aspektin e mbështetjes material, vendi ynë nuk mund të bëjë asnjë diferencë në këtë luftë, Shqipëria mund të jetë e vlefshme për Ukrainën me zërin e saj, qoftë në tryezën e NATO-s, qoftë në tryezën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku kemi pasur nderin të jemi edhe bashkënismëtarë të disa qëndrimeve domethënëse kundër agresionit rus. Pasnesër, më 5 maj, Shqipëria do të jetë e pranishme edhe në Konferencën e Donatorëve, për Ukrainën të thirrur nga Polonia në Varshavë, ku do të japim edhe ne kontributin tonë modest.
Edhe pse mizorinë e kësaj lufte nuk mundet ta perceptojë sa e si duhet askush tjetër, përveç popullit ukrainas, më lejoni t’ju them i nderuar President Zelensky, se historia jonë e afërt, kur gjysëm milionë shqiptarë u shpërngulën me dhunën e spastrimit etnik, nga trojet e tyre në Kosovë dhe gjetën strehë në Shqipëri, na ndihmon sidoqoftë të ndjejmë nga larg dhimbjen e madhe të Ukrainës.
Ndarja e nënave e fëmijëve nga baballarët që qëndrojnë për të luftuar, mobilizimi i vajzave që marrin armët për të rezistuar, qëndresa juaj e palëkundur në krye të shtetit që nuk pranon të dorëzojë liritë e fituara, të gjitha pamjet e dëshmitë e kësaj tragjedie të paimagjinueshme deri ditën e hyrjes së trupave ruse në territorin sovran të Ukrainës, janë përveçse sakrifica ekstreme e një populli liridashës edhe një shërbim i paçmuar, që ju dhe vendi juaj po i bëni të gjithë botës deri dje të përgjumur demokratike.
I dashur miku ynë Presidenti Zelensky,
e kujtoj shpesh këto kohë bisedën tonë në Kiev dhe dëshirën tuaj që Shqipëria të bëhej vendi ku ukrainasit të kishin shtëpi të dyta për pushimet e tyre. “Jemi shumë afër për të qenë kaq larg!”, thatë ju me kënaqësinë e dikujt që ka zbuluar një vend të bukur pranë shtëpisë.
Të gjithë e dimë tanimë se kjo luftë mund të mos jetë e shkurtër, ashtu sikundër çdo ditë që kalon, me tmerre të reja, e zgjat ende më shumë shtegun shumë të ngushtë drejt paqes. Por unë e besoj sinqerisht zoti President, se nëse sot në Shqipëri po vijnë ukrainasit që ikin për të mbrojtur fëmijët e tyre nga lufta, nesër dëshira juaj, që ata të vijnë këtu, në shtëpitë e tyre të dyta, për të kaluar pushime të gëzuara familjarisht, do të bëhet realitet.
Unë dhe të gjithë ne këtu do të donim t’ju thoshim sot shumë gjëra, por ju keni me siguri shumë gjëra të tjera më të rëndësishme për të bërë i nderuar President, kështu që lejomëni ta mbyll këtë fjalë, duke ju shprehur në emër të Shqipërisë e të shqiptarëve, të gjithë mbështetjen, respektin dhe miqësinë tonë.
Zoti qoftë me ju dhe me Ukrainën heroike!