Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur për mediat pas fjalës që presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky mbajti sot në Kuvend.

Berisha ka kërkuar që të anulohen vizat për të gjithë rusët që duan të vijnë në Shqipëri. Ndërsa në mënyrë kategorike Berisha kërkoi largimin e ambasadorit rus nga vendi ynë dhe tërheqjen e ambasadorit tonë në Moskë.

Sali Berisha: “Emocionet të thella. Ukraina po martirizohet për lirinë e Europës dhe botës në një agresion barbar të Vladimir Putinit, i cili theksoj se paraqet sot një monstër me fytyrë njerëzore, një kain, që ka shndërruar kombin e tij në kainër, që ekzeutojnë vëllezër, fëmijët dhe gratë e tyre dhe djegin shtëpitë e tyre. Qëndresa e kombit ukrainas është frymëzim i madh për ata që e duan lirinë, që besojnë te liria dhe vlerat e saj. Padyshim Shqipëria është e rreshtuar në anën e NATO-s, në OKB ka dhënë kontributin e vet, por ajo që më lëndon shumë dhe na turpëroi sot është qëndrimi i dështuar i Ramës gjatë këtyre muajve të këtij agresioni barbar. Në njërën anë votohet për dënimin në KS, por promovohet ideja ruso-serbe e Ballkanit të Hapur, një projekt anti-amerikan, që i hap rrugë influencës ruse në Ballkan. Së dyti ka qenë një vendim absurd ftesa e Ramës për turistët rusë në Shqipëri. Imagjinoni ju, vrasës, përdhunues, kainër, pasi kryejnë masakra të vijnë dhe të dynden në plazhet tona për të marrë veten. Kjo ishte një fyerje e rëndë për shqiptarët. Kjo ishte edhe kërkesa t Zelenskyt. Kërkoj të anulohen vizat për cdo qytetar rus. Kërkoj largimin e ambasadorit rus nga Tirana dhe tërheqjen e ambasadorit shqiptar nga Moska. Zvogëlimin e marrëdhënieve me Rusinë” tha ai.