Eurovision ka fshirë nga faqja zyrtare foton e këngëtares Ronela Hajati gjatë performancës, dhe në rrjet menjëherë u aludua se arsyeja e këtij veprimi ishte se koreografia e saj është konsideruar shumë “provokative.” Në lidhje me këtë lajm kanë folur dy nga artistët e ekipit shqiptar në “Eurovision”, stilisti Niko Komani dhe koreografja Klaudia Pepa.

Niko, tha se performanca e Ronela Hajatit është pritur mirë në Itali ndërsa sa i përket “fotove provokuese”, ai tha se është bërë më e madhe seç është dhe se impakti me publikun atje është shumë i mirë. Nga ana tjetër, edhe Klaudia Pepa tregoi se kënga “Sekret” pëlqehet shumë, dhe konfirmoi se koreografia nuk do të ndryshohet.

“Dua të them që jam shumë e lumtur që jam pjesë e ekipit shqiptar. Kënga dhe Ronela si personazh pëlqehen shumë. Do doja shumë që koreografia të mbetet sekret, megjithatë do të jap disa detaje të vogla se si do të jetë. Jemi të lirshëm të japim mendimin tonë dhe ne nuk do të ndryshojmë asgjë. Do të japim mesazhet dhe idetë tona. Janë 4 djem, balerinë italianë dhe unë gjithashtu do të kërcej.”– tha koreografja.

Ç’ka ndodhur mes këngëtare shqiptare dhe Eurovision?

“Sekreti” i Ronela Hajatit ka dale por “Eurovision Song Contest” nuk është i kënaqur me koreografinë e saj dhe ka kërkuar që të ndryshohet në më pak se 10 ditë nga nata e parë kur këngëtarja do të performojë në skenën e Torinos. Me anë të një e-maili, nga organizatorët është kërkuar që të hiqet nga performanca pjesa kur Hajati prek me dorë pjesën e saj intime, me pretendimin se skena është “+18” dhe nuk i shkon përshtat natyrës së garës. Kjo nuk është pritur mirë nga këngëtarja e cila mërzinë e ka shfaqur në rrjetet sociale ku ka bërë një status me disa ikona në formë fytyre të përlotur.