Ukraina ka prova se Rusia synon të shkaktojë një luftë mes shteteve ballkanike. Paralajmërimi vjen nga presidenti Volodimir Zelensky, i cili në komentet për mediat afrikane ngre alarmin se pas Lindjes së Mesme, Rusia do të shpërqendrojë vëmendjen e botës, me një krizë në rajonin e Ballkanit. Zelensky pretendon se Rusia dhe aleati i tij Irani qëndrojnë pas ngjarjeve në Izrael.

“Kushtojini vëmendje Ballkanit. Më besoni, ne kemi siguruar informacione. Rusia ka një plan të gjatë. Kishim fillimisht Lindjen e Mesme dhe shpërqendrimi i dytë do të jetë Ballkani”, u shpreh Zelensky.

Pas alarmit të lëshuar nga Ukraina është përgjigjur Franca që ka larguar frikën.

Presidenti Emmanuel Macron, gjatë një eventi u pyet për situatën aktuale në rajonin tonë, konkretisht zhvillimeve të fundit shqetësuese në Kosovë, duke dhënë këtë përgjigje: “Tensionet janë qetësuar paksa tani.”

Presidenti francez shpreson se drejtuesit e dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë, ta pranojnë planin e hartuar që ndihmon në zbutjen e plotë të situatës dhe arritjen e një marrëveshjeje mes dy shteteve.

Megjithatë Macron tha se ka frikë nga konfliktet me sfond etnik dhe fetar që po zhvillohen në rajone të ndryshme të botës.

“Jam i shqetësuar, por nuk kam frikë nga rifillimi i konfliktit në Kosovë”, përfundoi ai.